Bakojanis: OSBE kërkon reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi
Kryetarja e OSBE-së, Dora Bakojanis, i ka kërkuar Shqipërisë që të realizojë reformat kryesore në vend, për ta pasur më të lehtë rrugën drejt integrimit në BE. Gjatë vizitës së saj disaorëshe në Tiranë, kryesuesja e radhës e OSBE-së vuri theksin te realizimi me sukses i pesë pikave kryesore, siç janë mbrojtja e të drejtave të njeriut, shteti i së drejtës, reforma zgjedhore, lufta ndaj korrupsionit, si dhe zgjidhja e çështjes së pronave. Duke e vënë theksin te dy reformat kryesore që duhet të përmbushë vendi ynë, Bakojanis theksoi se "Shqipëria ka bërë një progres të prekshëm gjatë këtyre 18 viteve, por, përpara shtrohen ende shumë sfida: reformat në gjyqësor dhe procesi zgjedhor duhet të përmbushin standardet e OSBE-së". Në takimet me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, Bakojanis u shpreh se "zgjodhi të vizitojë Evropën Juglindore në fillim të marrjes së kryesisë greke për vitin 2009, për të treguar se OSBE-ja është në një pozitë unike për ta ndihmuar rajonin në rrugën e vet drejt progresit". Ajo ka premtuar se kryesimi i OSBE-së nga Greqia për vitin 2009 do të sjellë përfitime si për Ballkanin Perëndimor në tërësi, ashtu edhe për Shqipërinë në veçanti. Sipas saj, "për Greqinë do të ishte një sukses i madh nëse deri në fund të këtij viti, deri në fund të kryesisë greke, rajoni ynë do të ishte një rajon evropian më i begatë dhe më i qëndrueshëm". Në takimet e saj me partitë politike, Bakojanis theksoi nevojën për të forcuar më tej mbrojtjen e të drejtave të njeriut, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo ka mirëpritur edhe debatin politik konstruktiv që është zhvilluar në vend, duke theksuar se "klima pozitive e konsensusit politik për reformat më kryesore në Shqipëri e ka forcuar stabilitetin politik". Sipas saj, është e domosdoshme që kjo tendencë të ruhet dhe të vazhdohet me zbatimin e reformave kyçe nëpërmjet krijimit të konsensusit. Bakojanis është shprehur se, për të vazhduar në rrugën drejt integrimit euroatlantik, Shqipëria duhet të përparojë me reformat në legjislacion dhe gjyqësor, si dhe në fushën e pronave, zgjedhjeve dhe administratës, si dhe duhet të punojë për rritjen e kapaciteteve parlamentare, antitrafikimin dhe antikorrupsionin. "Në këto përpjekje, Shqipëria ka mbështetjen e palëkundur dhe aktive të Prezencës së OSBE-së në vend; një Prezencë e cila po bën një punë kyçe në një sërë fushash të rëndësishme", është shprehur ajo.