“Sllovenia ratifikon sot Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”
Ministri Basha premton vazhdimin e mbështetjes së vendeve të NATO-s, për të përfunduar para samitit të Strasburg -Këlnit procesin e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Aleancën e Lirisë
Parlamenti i Sllovenisë pritet të ratifikojë sot gjatë seancës plenare, Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë garanci e ka dhënë ministri slloven i Punëve të Jashtme, Samuel Zbogar gjatë takimit që zhvilloi në Mynih me kryediplomatin shqiptar Lulzim Basha. Në punimet e Konferencës së Sigurisë në Gjermani, Basha dhe Zogbar biseduan për marrëdhëniet e të dy vendeve dhe çështjen e ratifikimit të protokollit të NATO-s, të cilin Sllovenia nuk e miratoi në një nga seancat e kaluara parlamentare, por dha garancinë se protokolli do të ratifikohet sot.
Ndërkaq, edhe homologu holandez, Verhagen, e informoi ministrin Basha se së shpejti, pritet që Senati holandez të mbyllë procesin e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë. Gjatë punimeve të Konferencës ministri Basha u takua dhe bisedoi me një numër të madh kolegësh dhe personalitetesh të pranishëm si ministri Britanik i Punëve të Jashtme, David Miliband, ministri Çek i Punëve të Jashtme, Karel Schëarcenberg, ministri Hollandez i Punëve të Jashtme, Maksim Verhagen, ministri Slloven i Punëve të Jashtme, Samuel Zbogar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurimit të Përbashkët Javier Solana, zv/kryeministri i Federatës Ruse, Sergei Ivanov, ministri Turk i Punëve të Jashtme Ali Babaxhan, personalitete botërore në fushën e sigurisë si Henry Kissinger, Brent Scoëcroft etj.
Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, proçeset integruese euroatlantike, liberalizimin e vizave, zhvillimet rajonale etj. Ministri Basha duke i njohur bashkëbiseduesit mbi zhvillimet më të fundit në vend dhe në rajon, kërkoi vazhdimin e mbështetjes së vendeve të tyre për të përfunduar para samitit të Strasburg -Këlnit proçesin anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO si dhe mbështetjen e tyre për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë në drejtim të integrimit evropian të vendit.
Gjatë konferencës, shefi i diplomacisë shqiptare Lulzim Basha pati rastin të takojë dhe të përshëndetet me zv/presidentin e SHBA-së, Joe Biden. Ai e falënderoi zv/presidentin Biden për mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite dhe i shprehu atij vullnetin e palëkundur për të thelluar dhe më tej bashkëpunimin e ngushtë që qëndron në themel të marrëdhënieve të shkëlqyera shqiptaro-amerikane.
Në vijim të punimeve të konferencës, u zhvilluan disa sesione në të cilat u trajtuan çështje të sigurisë euroatlantike, bashkëpunimit NATO-BE, çështje të energjisë dhe situatës globale makroekonomike, situatës në Afganistan, në rajonin e Transkaukazit, etj.
Një vëmendje e veçantë ju kushtua procesit të integrimit evropian dhe euroatlantik të Ballkanit Perëndimor si dhe zhvillimeve në Kosovë dhe perspektivës evropiane të saj.
Konferencën e përshëndetën personalitete të larta të politikës evropiane dhe botërore, si Kancelarja Gjermane, Angela Merkel, Presidenti i Francës, Nichola Sarkozi si dhe zv/Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.