Rubio hedh dorashkën: Rinovoj, por ta bëj unë Tiranën
Te Procesi Sportiv trajneri spanjoll në mënyrë të shkurtër i është përgjigjur kërkesës së bordit bardheblu për të nënshkruar një kontratë të re trevjeçare me kryeqytetasit
Tirana e sezonit 2011-2012 do të mbahet mend për shumë gjëra, ku shumëkush mund të mendojë për problemet financiare, por gjasat janë që emri i trajnerit spanjoll Hulian Rubio të hapë një faqe në historinë e bardhebluve. Tirana ka provuar disa trajnerë të huaj, por asnjëri prej tyre nuk ka qenë jetëgjatë dhe rezultativ sa 60-vjeçari spanjoll. Me shumë mundësi Hulian Rubio do të thyejë tabunë e trajnerëve të huaj tek Tirana, pasi asnjëri nuk e ka mbyllur një sezon në drejtimin e bardhebluve.
Spanjolli ka treguar se është njeri i thjeshtë, punëtor, që nuk kërkon të bëjë protagonistin, ndonëse mundësitë i ka pasur të shumta. Kushtet në të cilat ka operuar deri tani tek Tirana, kryesisht në pesë muajt e fundit, nuk kanë qenë aspak favorizuese për trajnerin Rubio. Gjithsesi, ai ka gjetur forca për të përballuar vështirësitë dhe për të ngjitur baradheblutë në vendin e parë pas 15 javësh kampionat.
Duke parë këto cilësi dhe punën e bërë, bordi drejtues i Tiranës prej disa javësh ka hedhur idenë për rinovimin e kontratës me trajnerin Hulian Rubio edhe për tri sezonet në vijim. Gjëja e parë që duan të bëjnë drejtuesit për sezonin e ardhshëm është që të sigurojnë në avancë firmën e trajnerit spanjoll.
Rubio është në dijeni të këtij fakti, por asnjëherë nuk ka preferuar të flasë për të ardhmen e tij te Tirana, ose ti japë një përgjigje interesit të mediave nëse është i gatshëm të rinovojë me kryeqytetasit. Të hënën në darkë trajneri Rubio ka qenë i pranishëm në emisionin televiziv Procesi Sportiv, ku shkurtimisht i dha një përgjigje pyetjes së mësipërme.
Ndoshta spanjollit i ka shpëtuar përgjigjja, pasi ajo ishte e shkurtër, gjithsesi Rubio ua ka hedhur dorashkën drejtuesve të bordit të Tiranës. Rinovoj, por me kusht që Tiranën e re ta bëj unë, ka deklaruar trajneri 60-vjeçar. Kjo përgjigje e Rubios është domethënëse, pasi asnjëherë Tirana nuk u është përgjigjur kërkesave dhe shijeve të tij në drejtim të afrimit të lojtarëve. Madje në përfundim të merkatos dimërore Hulian Rubio u shpreh: Të tjerë kërkuam dhe të tjerë na erdhën.
Merkatoja e Tiranës ishte sa për të shtuar radhët. Gjithashtu, Rubio në të shkuarën ka sqaruar edhe faktin se ai nuk sjellë vetë futbollistë nga jashtë, kryesisht nga Spanja, pasi mund të ndihej i paragjykuar. Spanjolli ka sqaruar se te Tirana është për të bërë punën e trajnerit e jo të menaxherit. Realiteti ka treguar se Rubio vërtet nuk e ka bërë menaxherin, por i është dashur të bëjë në shumë rasts edhe më shumë se punën e trajnerit. Ai personifikohet si simboli i unitetit te Tirana.
Tri ekipe Ishte ish-presidenti Refik Halili që në qershor 2011 afroi spanjollin në krye të 24 herë kampionëve të Shqipërisë dhe, ndonëse pati pak kohë në dispozicion, ndërtoi një ekip, i cili bëri figurë të mirë në veprimtaritë europiane. Por pas eliminimit grupi transformohet, pasi lejohen të largohen disa lojtarë.
Gjithsesi, Hulian Rubio gjen kurajon dhe ndërton një tjetër ekip që surprizon në start, pasi fiton Superkupën e Shqipërisë, pikërisht në strofullën e kampionëve korçarë. Por deri në merkaton e janarit te Tirana ka edhe rrjedhje të tjera, ku lojtarët e huaj firojnë të gjithë. Trajneri Rubio vuri piketet e tij te drejtuesit për përforcimin e Tiranës në merkaton e dimrit.
Drejtuesit nuk ia plotësuan kërkesat, dhe në vend të tyre mbërritën disa të tjerë, por e rëndësishme është se nuk u lanë të largohen xhevahirët e mbetur. Përsëri trajneri Rubio nuk u akua, por tha do të mundohem që tia dalë edhe me këtë grup. Realisht fillimi i pjesës së dytë ka qenë i mrekullueshëm për bardheblutë, pasi kanë rikuperuar diferencën pesëpikëshe të fazës së parë me Teutën. Tirana, që duhet thënë se nuk është ajo që dëshiron Rubio, është në rrugën e duhur për të dy trofetë, kupë dhe kampionat.
