E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’ndalet Dinamo, Gramozi “tallet” me kampionët

 

Leonard Karaj

Dinamo fiton edhe në Durrës, Shkumbini shpërfytyron Apoloninë e Hasan Likës ndërsa Gramozi “tallet” me kampionët bardheblu në kryeqytet.
Shokohet Tirana por më tepër tifozeria e saj. Kampionët në fuqi nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj kolonjarëve, duke marrë vetëm një pikë që nuk i shërben për asgjë dhe për më tepër e zhyt atë në një krizë të plotë loje e rezultati, ku shpresat e vetme janë tashmë përfundimisht në Kupën e Shqipërisë. Pritej një reagim i fuqishëm i Tiranës në këtë takim, nisur jo vetëm nga kritikat ndaj skuadrës pas barazimit në Korçë, por edhe nga fakti se për herë të parë grupi ishte më i plotë se kurrë, duke mos pasur asnjë të dëmtuar apo të skualifikuar. Përfundimisht, skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj i ka thënë lamtumirë titullit kampion për këtë edicion, edhe pse jo ende matematikisht, pasi diferenca me kreun, që mbahet nga Dinamo, është e madhe, plot 16 pikë. Pritej që, duke parë se rivalet e bardhebluve, Dinamo dhe Besa, luajnë në transfertë këtë javë, nuk do të ishte çudi që Tirana të rikuperonte diçka në renditje. Por ka qenë e kotë, sepse Dinamo nuk njeh kundërshtar në këtë kampionat. Ka luajtur në transfertë, me Teutën, por ka fituar pastër, 3-1, duke marshuar pa asnjë problem drejt titullit kampion, deri tani pa e ditur akoma se çfarë është shija e humbjes.
Po dje, një tjetër kryesuese, e vendit të tretë, Apolonia e Fierit, luajti në transfertë, në Peqin, ndaj Shkumbinit vendas. Skualifikimi nga Kupa e Shqipërisë që në 1/16 finale, patjetër që do ta kishte rritur ngarkesën psikologjike te lojtarët fierakë. Gjë që u vu re edhe në fushën e lojës, ku pati thuajse një skuadër në fushë, Shkumbini, që fitoi bindshëm edhe me rezultat, 3-0. Në këtë mënyrë, Apolonia detyrohet të këmbejë vendet me Tiranën, duke zbritur vetë në vendin e katërt, me 1 pikë më pak se bardheblutë, që vijnë të tretët, pas Besës. Sot, tri takimet e tjera ku Besa e vendit të dytë do luajë në transfertën e Laçit. Në kryeqendrën e Veriut, në Shkodër, Vllaznia do të presë Kastriotin e Krujës dhe në Vlorë, Flamurtari, në një situatë shumë kritike, i fundit në renditje, i dalë edhe jashtë Kupës së Shqipërisë, do të luajë ndaj Skënderbeut.

Superliga/ Java 14

Teuta-Dinamo            1-3
Shënues: Mile 39’ (p)/ Kuli 9’, Soza 25’, Bakaj 65’
Tirana-Gramozi            1-1
Shënues: Muka 11’ (p)/ Dos Santos 52’ (p)
Shkumbini-Apolonia        3-0
Shënues: Çaushaj 4’ (p), 59’, Dervishi 54’
Sot, ora 13:00
Vllaznia-Kastrioti
Sot, ora 13:30
Flamurtari-Skënderbeu
Laçi-Besa

Renditja
Nr. Ekipi    ND    F    B    H    GSH    GP    +/-    P
1. Dinamo    14    12    2    0    27    8        19    38
2. Besa    13    7    4    2    13    6        7    25
3. Tirana    14    6    4    4    14    11        3    22
4. Apolonia    14    6    3    5    21    17        4    21
5. Teuta    14    6    1    7    15    19        -4    19
6. Shkumbini    14    5    3    6    14    14        0    18
7. Laçi    13    4    4    5    14    14        0    16
8. Kastrioti    13    4    4    5    12    15        -3    16
9. Skënderbeu    13    3    4    6    15    17        -2    13
10. Vllaznia    13    3    3    7     9    15        -6    12
11. Gramozi    14    2    6    6     9    18        -9    12
12. Flamurtari    13    2    4    7     8    17        -9    10

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›