Plagoset gjatë arrestimit të hajdutit shefi i krimeve
Tenton të arrestojë një të ri që kishte thyer arrestin e shtëpisë plagoset shefi i krimeve të Komisariatit numër 4 të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në zonën pranë Kinostudios në Tiranë teksa efektivët e policisë kishin shkuar për të verifikuar vendndodhjen e një të riu me iniciale SH.M, të akuzuar për vjedhje, i cili ishte liruar ndërsa gjykata kishte vendosur masën “arrest shtëpie” ndaj tij. Bashkë me policët ka shkuar edhe shefi i Krimeve të komisariatit numër katër, E.D., të cilët kanë pikasur se i riu ndodhej jashtë banesës. Kjo është konsideruar thyerje e masës së sigurimit që ishte vendosur nga gjykata dhe policia ka vendosur të ndërhyjë. Efektivat kanë ndërhyrë për ta arrestuar personin që ka thyer masën e arrestit vendosur nga gjykata, por ai ka tentuar të largohet me vrap për ti shpëtuar ndalimit. Në përpjekje e sipër për tu larguar, i riu është përplasur me trup me shefin e krimeve, i cili është përplasur përtokë duke thyer krahun. Pas kësaj kanë ndërhyrë të gjithë efektivët e policisë duke bërë të mundur arrestimin e të akuzuarit me iniciale SH.M. Burime policore pohuan se i riu ishte liruar pak ditë më parë nga gjykata me “arrest shtëpie” por që prej disa ditësh e kishte thyer këtë masë duke qëndruar nëpër lokalet e shumta të lagjes. Pas sigurimit të informacioneve në rrugë operative, bashkë me punonjësit e policisë së rendit kishte shkuar edhe shefi i krimeve të komisariatit që ka hapur çështjen penale për akuzën e vjedhjes. Por sapo ka vënë re praninë e policëve i riu ka tentuar të vraponte drejt shtëpisë, ndërsa ka hasur në pengesën e shefit të krimeve i cili ka kërkuar të ndalonte. Në këtë moment, i riu jo vetëm që nuk ka ndaluar por ka vazhduar të vrapojë drejt pallatit ku kishte banesën. Burime policore pohojnë se shefi i krimeve i ka bërë bllokadë me trup por i riu e ka shtyrë me forcë duke e përplasur përtokë. Funksionari i policisë ka rënë përtokë, duke goditur dorën, të cilën e kishte vendosur poshtë trupit. Në këtë kohë kanë ndërhyrë të gjithë policët që ndodheshin në vendngjarje duke i vënë prangat të riut. Pas dërgimit në komisariat të të riut familjarët e tij janë ankuar për dhunë ndaj tij. Për këtë shkak pasditen e djeshme në komisariat kanë shkuar përfaqësues të Avokatit të Popullit të cilët kanë kryer verifikime mbi dhunën e pretenduar nga shefi i krimeve dhe i arrestuari. Gjatë ditës së nesërme pritet që të përpilohet një raport nga përfaqësuesit e Avokatit të Popullit në lidhje me këtë ngjarje. fa.ma.