Tiranë, klienti grabit me dhunë taksistin
TIRANE – Rrëmbeu taksinë, prangoset i riu. Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka vënë në pranga një 21 vjeçar vetëm pak orë pasi kishte rrëmbyer një mjet taksi. Sipas komunikatës zyrtare të policisë, shërbimet e Komisariatit Numër 5 të kryeqytetit kanë vënë në pranga 21 –vjetarin Vladimir Peposhi, lindur në Kukës dhe banues në Domje 1. “Arrestimi i tij u bë, pasi rreth orës 02:30, në Rrugën e Durrësit në kryeqytet, dyshohet se ka marrë një mjet taksi me qëllim për të shkuar në banesën e tij në Domje 1. Pasi ka mbërritur aty, ai ka vjedhur mjetin me dhunë, duke lënë shoferin e taksisë në rrugë dhe më pas është larguar me shpejtësi”, thuhet në komunikatën e policisë. Pas punës hetimore të kryer nga specialistë të hetimit të krimit pranë këtij komisariati, u mundësua kapja e të riut së bashku me mjetin e vjedhur, në afërsi të stacionit të trenit në qytetin e Durrësit. f.m.