E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, zhduken papritur dy vajza



DURRES/ OERD ULQINI

Dy vajza janë denoncuar si të zhdukura nga familjarët e tyre. Njëra prej tyre, 20 vjeçe rezulton të jetë larguar në drejtim të paditur nga shtëpia e burrit, ndërsa tjera ka lënë të fejuarin në autobus, ndërsa vetë është zhdukur ndërsa ktheheshin nga Durrësi Ditën e Verës. Policia e Durrësit ka marrë denoncimin për të dy rastet, i pari i shënuar më 14 mars dhe tjetri një ditë më vonë, ndërsa po punon për gjetjen e tyre. “Janë larguar me vetëdije të plotë nga shtëpia, për rrethana të cilat mbeten ende të pazbardhura”. Kjo është deklarata që policia e Durrësit ka kryer për rastet e zhdukjes së dy vajzave me moshë 19 dhe 20 vjeçe nga shtëpia, nisur nga rrethanat e largimit të tyre. Efektivat blu janë vënë në ndjekje të tyre, me qëllim parandalimin e çdo të papriture dhe kthimin e tyre shëndoshë e mirë pranë familjeve. Dy vajza të reja, njëra nga Mati dhe tjetra nga Berati shpallen në kërkim nga policia e Durrësit, pasi janë denoncuar nga familjarët e tyre si të zhdukura. Bëhet fjalë për dy ngjarje të veçuara nga njëra-tjetra, ku protagonistët e arratisjes nuk kanë lidhje mes tyre, por që i bashkon fenomeni i largimit nga shtëpia, i cili në Durrës ka qenë i dendur kohët e fundit. Burimet policore saktësuan se shtetasja me inicialet B.A. 20 vjeçe, me origjinë nga Mati, por rezidente në Shkozet të Durrësit është larguar pa lënë gjurmë prej 15 marsit. Për këtë rast, pak orë më vonë ka bërë kallëzim për largimin nga banesa të nuses së djalit të tij, shtetasi 63-vjeçar R.A. lindur në Mat e banues në lagjen Nr.14 në Durrës. Në të njëjtën ditë, një tjetër denoncim për zhdukje personi është depozituar në policinë e Durrësit. Përpara hetuesve ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Policisë shtetasi A.A., lindur në Skrapar e banues në Tiranë. Ai deklaron se më datë 14 mars të këtij viti, rreth orës 13.00, ka qenë në Durrës së bashku me të fejuarën e tij, shtetasen E.M. 19 vjeçe, banuese në Molisht të Beratit, e cila është larguar pa adresë. Pasi kanë hipur në autobus për të udhëtuar drejt Tiranës, vajza e re është larguar në një ndalesë që autobusi bëri në Durrës dhe nuk është kthyer më në banesë. Ndonëse nuk janë bërë publike nëse bëhet fjalë për ndonjë grindje apo debat mes çifteve dhe familjeve të tyre, fakti është që prej momenteve të largimit, asnjë prej vajzave nuk ka dhënë ndonjë shenjë se ku ndodhet. Në të dy rastet, policia ka bërë shpalljen në kërkim dhe patrullat policore janë njohur me fotografitë e vajzave të zhdukura me qëllim rikthimin e tyre në familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›