E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe Rusia arrijnë traktatin e ri për armët bërthamore, analistët flasin për sfidat e dokumentit

Gjatë vizitës së tij në Moskë në muajin korrik, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të udhëheqin me shembullin e tyre për pakësimin e kërcënimit të armëve bërthamore. Shtetet e Bashkuara dhe Rusia arritën një traktat të ri për armët strategjike. Presidentët e dy vendeve biseduan dje paradite në telefon rreth traktatit çka shënoi edhe arritjen e marrëveshjes. Marrëveshja e re do t’i shërbejë Presidentit Obama për t’i dhënë tonin takimit të nivelit të lartë për çështjet bërthamore që do të mbahet në Uashington më 12 dhe 13 prill. Arritja e marrëveshjes u bë me negociata të vështira por probleme të tjera mund të lindin gjatë procesit të ratifikimit në Senatin amerikan. Para se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik të nënshkruanin Traktatin për Pakësimin e Armëve Bërthamore START 1 në vitin 1991, të dy vendet kishin dhjetra mijë mbushje bërthamore. Traktati kërkonte redukrimin e tyre në vetëm 6000. Në përpjekje për një start të ri në marrëdhëniet e tensionuara me Moskën, Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton premtoi të punojë nga afër me Rusinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për shkurtime të tjera. Ajo komentoi në Gjenevë, 9 muaj para se traktatit START 1 t’i mbaronte afati në dhjetor 2009. "Ka shumë punë për të bërë. Ne mendojmë se ky është start i ri jo vetëm për të përmirësuar marrëdhëniet tona dypalëshe por edhe për ta udhëhequr botën në fusha të rëndësishme, sidomos përsa u përket armëve bërthamore dhe sigurisë bërthamore".


Gjatë vizitës së tij në Moskë në muajin korrik, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të udhëheqin me shembullin e tyre për pakësimin e kërcënimit të armëve bërthamore. Më pas ai raportoi se ishin bërë hapa përpara drejt këtij objektivi megjithëse Traktatit START 1 i kishte mbaruar afati. Analisti rus, Viktor Litovkin, ndihmës editor i Revistës së Pavarur Ushtarake, thotë se marrëveshja u vonua për shkak të disa problemeve. "Së pari këto ishin probleme të verifikimit, transparencës dhe të kontrollit. Një pengesë tjetër ishte padyshim lidhja mes armëve strategjike mësymëse dhe atyre mbrojtëse". Marrëveshja e re pritet t’i pakësojë mbushjet bërthamore të dy vendeve në shifrën 1,500 për secilin. Edhe sistemet e hedhjes, si raketat dhe bombarduesit, do të kufizohen në numër. Moska shprehu shqetësim gjatë gjithë procesit të negocimit se një sistem amerikan i mbrojtjes nga raketat në Europën Qendrore i propozuar nga administrata Bush do të neutralizonte armët mësymëse të Rusisë. Kjo megjithë sigurimet e dhëna nga Uashingtoni se sistemi synonte mbrojtjen nga raketat iraniane. Presidenti Obama e rikonfiguroi sistemin e propozuar dhe i lëvizi më pranë Iranit elementët e këtij sistemi. Ratifikimi i Traktatit do të kërkonte 67 vota në Senatin amerikan. Duke mbajtur parasysh kundështimin e republikanëve ndaj çdo marrëveshjeje që do të kufizonte mbojtjen nga raketat në Europë, negociatorët amerikanë njoftohet se i kanë bërë mjaft presion homologëve të tyre rusë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov e siguroi Sekretaren Klinton në Gjenevë vitin e kaluar se vendi i tij ndan të njëjtin synim për mospërhapjen e armëve, duke përfshirë këtu Iranin dhe gadishullin korean. Për ratifikimin e Traktatit START të vitit 1991 u deshën më shumë se 400 ditë. Por cilido qoftë fati i traktatit të ri START, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon e karakterizoi kështu rëndësinë e madhe të një pakti të tillë: "Kjo do të ketë një ndikim të jashtëzakonshëm pozitiv mbi samitin e Uashingtonit për çarmatimin bërthamor si dhe mbi konferencën mbi Traktatin e Mospërhapjes që do të mbahet në muajin maj në Nju Jork". Suksesi i kësaj konference, tha zoti Ban, mund të ndihmojë botën të jetojë larg frikës së armëve bërthamore.


Përfitimet nga traktati SHBA-Rusi/Më në fund, Moska dhe Uashingtoni janë pranë nënshkrimit të një traktati të ri për reduktimin e armëve bërthamore. Sipas ekspertëve, përfitimet nga pakti do të mund të shtrihen edhe përtej kontrollit të armatimit. Steven Pifer, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, thotë se pakti i ri START duhet të çojë në një marrëdhënie më konstruktive SHBA-Rusi, me përfitim nga të dyja palët. “Nëse hidhni një vështrim mbrapa të marrëdhënieve SHBA-Rusi, do të vini re progres në kontrollin e armëve me ndikim më të gjerë. Ndonjëherë, ky ndikim mund të jetë jetëshkurtër, por tenton t’i japë një shtysë”, thotë Pifer. Sipas Piferit, shpresa në Uashington është që marrëveshja e çarmatimit do të çojë në ndihmën më të madhe ruse në çështjet me interes të SHBA-ve. Analisti në Moskë, Aleksander Golts, thotë se pakti krijon mundësi bashkëpunimi në shumë sfera. “Nuk mendoj se është ide e mirë të fillohet riorganizimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi me traktatin START, pasi kjo na vendos disi në një mjedis të një lloj lufte të ftohtë. Por, fakti se ata me sukses kanë plotësuar traktatin, krijon mundësinë për bashkëpunim në shumë sfera, përfshirë Afganistanin dhe Iranin”, thotë Golts. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Rusi, Andrei Nesterenko, thotë se Moska është e hapur ta mbështesë një raund të ri të sanksioneve të OKB-së ndaj Teheranit. “Nëse nuk ka përmirësim të dukshëm në këtë drejtim, nuk e përjashtojmë mundësinë të vëmë presion shtesë mbi iranianët me anë të sanksioneve”, thotë Nesterenko. Pifer thotë se, muajt e fundit, Rusia është treguar e hapur në mbështetjen e sanksioneve kundër Iranit. “Mendoj se Rusia po u përgjigjet në njëfarë mënyre ndryshimeve në marrëdhëniet me SHBA-të. Pjesë e kësaj është se edhe ata janë të pakënaqur me Teheranin. Rusët janë të përgatitur për të shkuar më tej, krahasuar me gjashtë muaj më parë, dhe ky është zhvillim i mirë”, thotë Pifer. Firmosja e traktatit të ri START, e planifikuar në fillim të prillit, i bie pak përpara konferencës në Uashington për sigurinë e armëve bërthamore. “Kjo do të forcojë dorën e administratës, pasi mesazhi është: ne po bëjmë pjesën tonë, ne po i reduktojmë armët bërthamore”. “Kjo nuk do ta bindë Korenë e Veriut ose Iranin që të tërhiqen nga programet e tyre. Por, do të ndihmojë në krijimin e më shumë barrierave, duke i dhënë të drejta inspektimi Agjencisë Kombëtare të Energjisë Atomike, që krijon më shumë pengesa për aspirantët bërthamorë”, thotë Pifer.







...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›