Sociale shkurt
Ministria, 250 anije të reja për flotën e peshkimit
Ministria e Mjedisit synon që nëpërmjet politikave favorizuese të arrijë në shtimin dhe modernizimin e flotës së peshkimit nga 250 në 500 anije. Kjo, si dhe diversifikimi i peshkimit dhe zhvillimi i infrastrukturës portuale do të bëjnë të mundur që brenda 8 viteve të eksportohen 12 mijë tonë peshk i freskët, nga 2500 tonë që eksportohen aktualisht.
Tiranë, rindërtohet shtëpia e të moshuarve
Rndërtimi i Shtëpisë së të Moshuarve në Tiranë, institucioni më i hershëm i përkujdesit social në vendin tonë, me një përvojë 40-vjeçare, pritet të përfundojë brenda këtij muaji. Rreth 130 milionë lekë janë shpenzuar vetëm për rndërtimin e ambienteve të institucionit, ndërsa rreth 70 milionë lekë të tjera do të përdoren për blerje të pajisjeve.
Mallakastër, zgjidhet problemi i ujit
Një projekt me vlerë 25 milionë lekë zgjidh përfundimisht furnizimin me ujë të 670 banorëve të fshatit Dukas ne Mallakastër. Projekti konsistoi në instalimin e rrjetit të ujësjellësit në banesat e qytetarëve, por edhe pse u realizua ky instalim, banorët për tre vjet nuk u furnizuan me ujë dhe arsyeja ishte mungesa e një transformatori elektrik.
Vlorë, 17 raste të njohjes së atësisë në gjykatë
Ne tre vitet e fundit, në gjykatën e rrethit të Vlorës janë paraqitur 17 kërkesa për njohjen e atësisë për fëmijë që kanë lindur në rrethana të caktuara dhe që kërkojnë një interpretim ligjor shtesë. Në rastet e mësipërme, përfshihen fëmijë të lindur jashtë martese apo në kushtet e bashkëjetesës mes partnerëve. Për periudhën 2005-2008, 9 kërkesa janë pranuar nga gjykata.
Elbasan, në rikonstruktim rruga e “Fubit”
16 milionë lekë investime do të kryhen për rikonstruksionin e rrugës së “Fubit” në Elbasan, që shtrihet në pjesën jugore të qytetit ose siç njihet ndryshe, nga komuniteti, lagja “Banesat e Kombinatit”. Përmirësimi i kësaj rruge ka qenë një kërkesë disavjeçare e banorëve të kësaj zone, tashmë mjaft e populluar, e cila së fundmi po bëhet realitet.
Vlorë, masa të rrepta për sezonin
Policia Kufitare e Qarkut të Vlorës po zbaton një program masash për sezonin turistik, që synojnë forcimin e kontrollit në hyrje-daljet e pikave të kalimit kufitar, veçanërisht në atë të portit të këtij qyteti. Masat përfshijnë trajnimin e punonjësve të policisë për kryerjen e detyrave respektive, përdorimi i sistemeve të kontrollit, njohja me bazën ligjore të policisë kufitare, përcaktimi dhe zbatimi i detyrave specifike për çdo shërbim etj.
Lezhë, 500 milionë lekë për rrugët
500 milionë lekë investime do të kryhen për infrastrukturën rrugore në gjithë Qarkun e Lezhës. Investimet më të mëdha janë në segmentin rrugor nacional Lezhë - Shëngjin dhe projekti i fundit i tenderuar, që është në fazën e kontraktimit, është rruga prej 10 km Zejmen - Tale (plazh), që kap një shifër prej 100 milionë lekësh.