METE, negociata për marrëveshjen e shitjes së ARMO-s
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës po zhvillon negociata me konsorciumin amerikano-zviceran "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group", fituese për blerjen e 85% të aksioneve të kompanisë ARMO. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, dje në Komisionin kuvendor të Punëve dhe Veprimtarisë Prodhuese tha se "negociatat, ku merr pjesë dhe kompania konsulente e privatizimit të ARMO-s, "Pattom Boggs", po ecin mirë dhe synohet që ky proces të mund të përfundojë brenda muajit korrik". Më 18 qershor, Këshilli i Ministrave shpalli fitues këtë konsorcium për blerjen e paketës kryesore të kompanisë ARMO, në bazë të vendimit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në METE, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për negocimet dhe nënshkrimin e marrëveshjes me "Refinery Associates of Texas, Anica Enterprises & Mercuria Energy Group".
Kjo marrëveshje pritet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe më pas, konsorciumi do të marrë në dorëzim 85% të aksioneve të ARMO-s dhe do të drejtojë aktivitetin e kompanisë si pronare e saj. Ministri Ruli u shpreh se puna në ARMO po vijon normalisht, sipas programit që kjo kompani ka për këtë vit.