Topi: Deputetët të ngrihen mbi interesat e partive, nuk është tradhti ndaj votuesve
BLEDAR HOTI
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i bën apel partive politike që të bashkëpunojnë në Parlamentin e ri për hir të interesave madhore të integrimit evropian. Kreu i shtetit ka lëshuar dje një apel publik në adresë të partive politike me rastin e fillimit të punimeve parlamentare. Në momentin kur PS-ja, partia më e madhe e opozitës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në Kuvend, kreu i shtetit ka lëshuar apele në të cilat lënë të nënkuptojnë se është kundër një veprimi të tillë. “Kauza euroatlantike dhe e ardhmja e vendit mund të kërkojnë që, për interesa shumë të rëndësishme kombëtare, ju të ngriheni mbi interesat e partive që përfaqësoni, por të keni ndërgjegjen e qetë se nuk keni tradhtuar interesat e qytetarëve që ju kanë besuar të ardhmen e tyre, duke kontribuar kështu edhe për rikthimin e besimit të humbur te politika e politikanët”, tha Topi në mesazhin e tij. Duke iu drejtuar deputetëve, kreu i shtetit thekson se “Kuvendi i Shqipërisë është tempulli kombëtar i debatit politik, ku ju duhet të zhvilloni angazhimin qytetar dhe kushtetues për të forcuar më tej demokracinë parlamentare pluraliste, për të ballafaquar politikisht vizionet, për të ndarë publikisht përgjegjësitë e respektin pozitë-opozitë, por sidomos për të bashkëbiseduar me njerëzit me përgjegjësinë e madhe politike, për t’u shërbyer atyre në katër vjetët e ardhshme”. Topi në mesazhin e tij drejtuar Kuvendit, thekson se “Shqipëria nuk duhet të humbasë asnjë rast drejt rrugës së prosperitetit. Populli shqiptar pret me padurim një të ardhme akoma më të mirë. Sfidat, sikurse përgjegjësitë, janë të mëdha si në angazhimet politiko-institucionale, ashtu edhe në ato ndërkombëtare”. “Së bashku, duke iu larguar interesave të ngushta, duke menduar si shtetarë të përgjegjshëm, duhet të punojmë që Shqipëria të mbyllë përfundimisht vitet e vështira të tranzicionit politik dhe të forcojë themelet e qëndrueshme të një shoqërie demokratike ku liria, respekti ndaj vlerave e meritave, të kthehen në çelësin e suksesit dhe sigurinë për të ardhmen e këtij vendi. Vetëm vullneti i përbashkët mund ta kthejë Kuvendin e Shqipërisë në një terren debati profesional e konstruktiv dhe jo në arenë beteje politike shterpë”, theksoi Presidenti.
Vlerësimi për zgjedhjet
Kreu i shtetit për herë të parë ka folur publikisht edhe për procesin e 28 qershorit, nga ku u formatua dhe Kuvendi i ri. Për vetë numrin një të shtetit shqiptar “më 28 qershor, në këtë ditë të shënuar, qytetarët e vendit tonë dëshmuan përgjegjësi politike, pjekuri, mençuri të admirueshme nëpërmjet pjesëmarrjes së lartë, e sidomos mënyrës civile e demokratike të sjelljes, me shpresën e besimin se përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë do të mishërojnë interesat e tyre dhe do të luftojnë më mirë për t’i mbrojtur ato”. “Duke i përgëzuar, shpreh edhe një herë mirënjohjen e thellë për gjithë popullin shqiptar, i cili 28 qershorin e memorizoi si ditën e qytetarisë, të denjë për një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian”, deklaroi Topi.
Sfida e Parlamentit
Në mesazhin tij publik kreu i shtetit ka orientuar deputetët e Kuvendit për punë e tyre në katër vitet e ardhshme për realizimin e reformave në interes të procesin të integrimit euro-atlantik. Ato lidhen si “shpejtësia integruese në Bashkimin Evropian varet nga vazhdimi i reformave të guximshme për shtetin ligjor, për barazinë e vërtetë politike, për një drejtësi të standardeve evropiane, për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës, për të përsosur institucionalisht ndarjen dhe respektin e ndërsjellë të pushteteve e pavarësinë e tyre, për të ndërtuar ligje që zgjidhin probleme në mënyrë të drejtë, profesionale dhe efektive”. “Sigurimi i jetës së qytetarëve, forcimi i rendit, arsimimi cilësor i fëmijëve tanë, reformimi bashkëkohor i sistemit shëndetësor, përballja me efektet negative të krizës ekonomike globale dhe lufta kundër varfërisë janë disa nga betejat ligjore që Kuvendi duhet të fitojë gjatë mandatit të tij. Kuvendi i Shqipërisë ka nevojë për kontributin e menjëhershëm të të gjithë të zgjedhurve politikë. Duke ju uruar suksese në misionin tuaj fisnik, mbetem me besimin se Kuvendi i Ri i sapozgjedhur, do të përmbushë me përgjegjësi detyrimin e tij kushtetues, ligjor, kombëtar dhe qytetar në shërbim të popullit shqiptar”, thekson Presidenti.