Ndërtimi i rrugëve dhe mbrojtja e mjedisit, faktorët kyç të zhvillimit të turizmit

Kryeministri Berisha mbledh prefektët, kërkon plan masash dhe zbatim të përpiktë të ligjit ndaj krimit mjedisor. Edhe problematika e bashkëpunimit dhe e kontrollit ndaj njësive të qeverisjes vendore trajtohet në konsultimin periodik të kryeministrit me përfaqësuesit e tij në 12 qarqet e vendit
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje gjatë një takimi të zhvilluar me Prefektët e të gjitha qarqeve në vend, se çështje primare për Qeverinë mbetet përmirësimi i infrastrukturës dhe mbrojtjen e mjedisit, si dy faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në kthimin e Shqipërisë në një vend tërheqës për turistët. Kryeministri iu referua gjerësisht fushës së turizmit, ku edhe iu kujtoi prefektëve, se çështje e rëndësishme për zhvillim të kësaj fushe nuk është vetëm infrastruktura, por edhe trashëgimia kulturore e arkeologjia si dhe mjedisi në tërësi. Kryeministri kërkoi nga prefektët që brenda dy javëve të dorëzojnë në qeveri inventarin e investimeve të realizuara në çdo Qark.
“Fenomeni më i fuqishëm, më madhor apo ndoshta dhe ndryshimi më spektakolarë i këtyre 5 viteve të fundit ka qenë bumi turistik. Ne së bashku përjetuam një zhvillim të bujshëm të turizmit. Këtë vit Shqipëria do të ketë vizitorë më shumë se banor, pra ka një rritje krahasuar me vitin 2004, prej 12 herë. Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha që ti paraprijë me investime këtij zhvillimi të fuqishëm, në këtë kontekst ne, siç jeni në dijeni përfundojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve, nga akset kombëtare që zbresin buzë detit kanë ngelur shumë pak kilometra për të finalizuar, janë në përfundim e sipër rruga e Palasës, duhet të përfundoje rruga në Novoselë, është në ndërtim e sipër Gjilbashtova dhe përfundon në shtator, një segment shumë i shkurtër në Grem dhe faktikisht ne finalizojmë ndërtimin e të gjitha rrugëve nga akset kombëtare që zbresin drejt detit. Ne po ecim gjithashtu me vendosmëri me infrastrukturë drejt zonave malore dhe zonave arkeologjike të vendit, të gjitha këto në funksion të turizmit. Ky fluks i madh që sjell në Shqipëri, këta miliona e miliona vizitore, në këtë vend gjeografikisht të vogël duhet të kenë mundësi ta vizitojnë, të njihen me të sa më shumë dhe jo vetëm në ujërat dhe brigjet e tij, por me të gjithë pasuritë e tij të mëdha”, u shpreh kryeministri.
Në këtë drejtim, Berisha tha se qeveria do të përfshijë në këtë fushë një zë të veçantë për njësitë e qeverisjes vendore në fondin e zhvillimit të rajonit.
“Pra nuk do të aplikohet vetëm për rrugë ujësjellës dhe kanalizime, por edhe për vend ndodhjet, qytezat, kështjellat e kohërave të shkuara. Të gjitha këto do të bëhen në një partneritet të ngushtë me qeverisjen vendore me të cilat ju do të keni partneritet të veçantë. Ju zotërinj prefektë do përcaktoni përparësitë, që do të jenë përparësitë e qarkut dhe në përputhje me to të adresojmë fonde. Unë kërkoj nga ju që brenda dy javëve, të keni sjellë inventarin e plotë të të gjitha investimeve të bëra në prefekturën tuja, në rrugë kombëtare dhe jo kombëtare, rurale dhe dytësore, ku do të jenë të përcaktuara kilometrat, fondi, koha e ndërtimit, koha e fillimit, koha e mbarimit të gjitha detajet. Po kështu për kanalizimet, për ujësjellësit, për shkollat dhe qendrat shëndetësore. Në këtë inventar ne nxjerrim për të parë perspektivën çfarë ka mbetur, të mos harrojmë se në vitin 2005, një numër i madh i rretheve të këtij vendi në tërësi të zonës verilindore dhe juglindore, nuk kanë pasur qoftë dhe një kilometër rrugë të asfaltuar përveç aksit kombëtar. Kam shkuar para katër vitesh në Peqin, premë shiritin me deputetin e Peqinit dhe drejtuesit lokale, të rrugës së parë që po asfaltohej përveç aksit kombëtarë në historinë e këtij rrethi, ka qenë Peshkopia e tillë, ka qenë Kukësi i tillë, ka qenë Gramshi, Përmeti, Tropoja, Kolonja, Librazhdi dhe shumë të tjera, tani kjo situatë nuk ekziston, kjo situatë është krejtësisht tjetër”, vuri në dukje kreu i qeverisë.
Një çështje shumë e rëndësishme, tha shefi i ekzekutivit, është edhe mbrojtja e mjedisit.
Sipas Berishës, ligji duhet të veprojë ndaj çdo krimi për mjedisin.
“Ligji në tërësinë e tij shpreh të drejtën dhe nuk ka asgjë më afër me të drejtën sesa ligji. Në një shoqëri demokratike ligjet janë gjuha e së drejtës, ato ne duhet ti zbatojmë me vendosmëri të madhe. Mjedisi është jeta, mbrojeni atë. Duhet të sjell në vëmendje këtë çështje, krim ndaj mjedisit. çdo krim ndaj mjedisit është i patolerueshëm dhe duhet të marrë ndëshkimin e duhur ligjor. Ky vend është në zhvillim të shpejtë, por asgjë nuk ka më jetike për një zhvillim të duhur sesa mbrojtja e mjedisit. Mjedisi është jeta”, tha Berisha.
Ai gjithashtu kërkoi nga prefektët evidentimin e të gjitha qendrave, komunave, të cilat nuk kanë lidhje akoma me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar pasi kjo do të jetë një tjetër përparësi.
“Vlerësimi për ju do të jetë në raport me qëndrimin tuaj ndaj ligjit dhe këtyre problemeve shumë të rëndësishme, që unë ngrita këtu para jush, probleme të cilat unë ftoj ju, ftoj administratën qendrore të ngrihen në një lartësi të re, të zhvillojmë kapacitetet, të cilat koha i kërkon, është një dinamizëm i madh në vend. Ne aty ku na mungojnë duhet të zhvillojmë me shpejtësi kapacitete në bashkëpunim me Komisionin Europian, me PNUD-in me donatorët e tjerë. Ne do të adresojmë fonde në drejtim të qarqeve dhe prefekturave tuaja vetëm për zhvillimin e kapaciteteve, por ato mund ti zhvilloni ju qarqet, bashkitë, komunat, qeveria qendrore nuk mund të marrë rolet tuaja. Sot fatmirësisht janë me qindra vajza dhe djem me shkollat më të mira me profesionet më të duhura e rëndësishme është që ju të hapeni me konkurset dhe konkursi të funksionojë në mbarë vendin”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha.