Socialistët, gjueti shtrigash në Kuvend. Mimi Kodheli: Para reformave të integrimit kemi kushtet tona

Partia Socialiste vazhdon të mbajë peng reformat e rëndësishme të vendit, ndër to dhe 12 rekomandimet e Komisionit Evropian, për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli në një konferencë për shtyp, ka deklaruar se opozita është në parlament në radhë të parë për draft-propozimet e saj, ndërsa përsa i takon ligjeve me 3/5 dhe 12 kushtet e Brukselit, s’janë pjesë e axhendës parlamentare të PS. I gjithë aksioni bllokues kundër integrimit, u duk qartë jo vetëm që në seancën e nisjes së sesionit të ri parlamentar, por edhe në deklaratat e përditshme të kryesocialistit Edi Rama, se PS kurrsesi s’do pranojë të japë konsensusin dhe të bashkojë votat me mazhorancën, pavarësisht se pajtohet me shumicën në Kuvend, në faktin që nga konsensusi parlamentar varet procesi i integrimit evropian të vendit. Por, paaftësia politike për të marrë komandën e përgjegjësive kombëtare, bën që i gjithë kursi i ri politik i Ramës të jetë jo vetëm një “kurs shtrigash”, por edhe një sjellje dhelprash, thjesht e vetëm për të shmangur kërkesat imediate të komunitetit ndërkombëtar, të cilat lidhen kryekëput me aspiratën e integrimit të vendit. PS sajon alidi nga më të ndryshmet për zvarritur pafundësisht “krizën parlamentare” edhe pse dihet se kjo i shërben mirëfilltazi interesave meskine të faqeziut të ngrehinës socialiste. Deputetja Kodheli foli dhe njëherë me zërin e Edi Ramës, pas akuzave dhe përbaltjes së cakenjëve si Saimir Tahiri, Gramoz Ruci apo dhe Ditmir Bushati ndaj ministrave të qeverisë “Berisha”. Për socialistët në interes të vendit nuk janë 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian, por së pari kërkesat e tyre që lidhen me rregulloren e parlamentit, apo projektligje të tjera të panevojshme për momentin.
...