Socialistët kujtojnë tragjedinë e Gërdecit në krater
Tragjedia e Gërdecit riaktualizohet në axhendën politike të opozitës së majtë. Dy vjet pas shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve, ku humbën jetën 26 njerëz, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe deputetë të saj, ka bërë homazhe në kujtim të viktimave. Përtej aspektit njerëzor që dëshmohet në këtë veprim të së majtës, përfaqësuesit socialistë nuk kanë munguar të bëjnë publik apelin e tyre politik, i cili përfshin në vetvete akuzën ndaj qeveritarëve aktualë, si dhe premtimin për zbardhjen e ngjarjes së 15 marsit 2008. “Ai krater... është një akuzë për ata politikanë që e sajuan dhe vazhdojnë karrierën politike, pa ju hyrë gjemb në këmbë, për arsye që qeveria dhe qeveritarët i sajojnë, i organizojnë dhe mashtrojnë shqiptarët dhe Shqipërinë. Ne u japim fjalën familjarëve që asnjëherë nuk do të ndalojmë së kërkuari të drejtën për këtë tragjedi të madhe që ka ndodhur këtu në Gërdec”, deklaroi me këtë rast deputeti Namik Dokle, duke iu referuar ngjarjes. Pa përkufizuar konkretisht se cilat do të jenë rrugët që do të ndiqen për të zbardhur deri në fund fajtorët e ngjarjes, deklarata e socialistëve i drejtohet memories së opinionit publik, duke mbajtur ndërkohë të hapur një opsion politik për opozitën. Në raport me procesin gjyqësor që tashmë po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës, apeli i PS-së përcjell refuzimin e kësaj të fundit për të pranuar trajtimin që i është bërë deri më tani dosjes “Gërdeci”, ku ndër të akuzuarit kryesorë është ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. “është tepër e dhimbshme që të gjithë të kujtojmë 26 të vrarë nga korrupsioni qeveritar, nga makutëria e qeveritarëve”, ka vijuar Dokle deklarimin e tij që i bën jehonë qëndrimit konstant të PS-së. Nga ana e tij, kreu socialist, Edi Rama, është mjaftuar me prezencën e tij në homazhe në krah të familjarëve të viktimave, por ka shmangur prononcimin e drejtpërdrejtë, ndoshta për herë të parë që nga 15 marsi 2008.
#