Vrasja e atletit, lirohet i dyshuari se ska prova
Gjykata është detyruar të lirojë të dyshuarin për vrasjen e Hasan Rakipit, trajner i atletikës, pasi prokuroria nuk i ka paraqitur asnjë provë për implikimin e tij në këtë krim. Sipas të dhënave, togat e zeza kanë dhënë për të masën e sigurisë “detyrim paraqitje” deri në momentin që grupi hetimor të sigurojë prova më të shumta për të. I liruari Avni Goca u arrestua menjëherë pas vrasjes së Rakipit, ku u akuzua për armëmbajtje pa leje, por dyshohej edhe për vrasjen e 56-vjeçarit. Në lidhje me këtë, gjykata kishte dhënë afat për mbajtjen e tij në qeli deri në paraqitjen e provave të reja, por nuk është mundësuar një veprim i tillë. Në këto kushte, pasi i dyshuari nuk e ka pranuar krimin, gjykata është detyruar ta lirojë. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në fillim të muajit shkurt, kur pranë një lokali u qëllua për vdekje ish-atleti 56-vjeçar, i cili sapo kishte hipur në mjetin e tij pranë fushave të sportit në Kamzë. Sipas policisë, disa orë më vonë u arrestua autori i dyshuar i ngjarjes, të cilit iu kapën në banesë një sërë municionesh, por nuk iu gjet arma e krimit, si dhe ai nuk e pranoi vrasjen e Rakipit. Në këto kushte, policia e vuri në pranga Avni Gocën për armëmbajtje pa leje. Deri dje, policia nuk ka gjetur prova të tjera, por ka ngritur dyshime për vendin se ku mund të ndodhet arma e krimit. Grupi hetimor dyshonte se ai mund ta kishte hedhur armën në një pus pranë banesës së tij. Për këtë arsye, një grup pune do shkonte në vendin e ngjarjes, sipas një urdhri të dhënë nga prokuroria dhe do të thajë pusin, me shpresën se brenda ndodhet arma e krimit dhe vërtetohet fajësia e Gocës. Por, edhe ky veprim nuk u krye, pasi hetuesit nuk shkuan në vendin e ngjarjes. Sipas të dhënave policore, Hasan Rakipi, atlet, është qëlluar me pistoletë rreth orës 18.00 të datës 6 shkurt. Viktima ndodhej në automjetin me targa TR 6534 N, kur e qëlluan për vdekje. Avni Goca ishte pronari i lokalit, ku kishte qëndruar Rakipi para vrasjes.
#