E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët në kongres të parakohshëm

Partia Socialiste e Kosovës (PSK), e pakënaqur me rezultatet e arritura në zgjedhjet e së dielës, ka marrë vendim që të shkojë në zgjedhje të parakohshme partiake.

Kryesia e PSK-së sot ka mbajtur mbledhje ku ka analizuar rezultatet që ka arritur në zgjedhjet komunale.

Partia Socialiste e Kosovës thotë se ka pritur shumë më tepër nga këto zgjedhje. Për këtë arsye kryetari i PSK-së, Emrush Xhemajli, njoftoi Kryesinë se ndërpret mandatin e tij 3-vjeçar në postin e kryetarit.

Si rrjedhim partia shkon në zgjedhje të parakohshme të të gjitha niveleve. Deri atëherë kryetari i deritashëm do të jetë kryetar në detyrë. Kryesia e PSK-së ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pas dy javëve, ku do të analizohen zgjedhjet edhe në këtë organ, do të zgjidhet komisioni për organizimin e Kongresit, si dhe do të caktohet data e mbajtjes së tij, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj partie.

PSK, e cila u formua më 30 maj 2009, në kohën kur filluan përgatitjet për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit 2009, garoi në 14 komuna me këshilltarë, ndërsa në 11 prej tyre edhe me kandidatë për kryetarë.

Rezultatet më të mira, PSK thotë se i pati në Shtërpcë, ku për kryetar komune mori 18.4 për qind të votave, kurse për asamble komunale 14,2 për qind. Ndërsa në disa komuna nuk kaloi as 1 për qind.

Partia Socialiste i pranon rezultatet e zgjedhjeve dhe i falënderon të gjithë votuesit dhe ata që janë angazhuar në fushatën zgjedhore të saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›