E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ja si kaluam natën e parë jashtë pas tërmetit”

24/11/2004  Komuna e Barmashit, është komuna që ka pësuar më tepër dëme nga tërmeti i një dite më parë. Kryetari i komunës Ilirian Lumani bën të ditur zyrtarisht dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Shifra të cilat mbeten ato të deklaruara një ditë më parë. Ndërkohë që ai bën të ditur edhe se komuna nuk ka asnjë fond rezervë për t'u ardhur në ndihmë bashkëfshatarëve. Sipas tij vetëm në këtë komunë, për të reabilituar dhe bërë të banueshme shtëpitë të dëmtuara më rëndë,duhet një faturë prej 20 milion lek të reja. Kryetari Komunës Ilirian Lumani thotë se e vetmja shpresë për restaurimin e shtëpive është ndihma që duhet të japë shteti.Ndonëse dëmet kanë përfshirë 10 fshatra gjëndja më e rëndë paraqitet në fshatin Gozhdarosht.

Fshati që e kaloi

natën jashtë

Fshati Gozhdorozhd është rreth 25 kilometra larg qytetit të Ersekës,ndonëse shumë pranë rrugës nacionale Korçë-Leskovik. Banorët e fshatit Gozhdarozhd, janë ende të tmerruar nga tërmeti që e lëkundi fshatin e tyre një ditë më parë. Në këtë fshat ka rreth 20 shtëpi, si të gjitha fshatrat e thellë dhe të gjitha shtëpitë e fshatit prej 70 banorësh janë dëmtuar. Ata pas asaj që kaluan një natë më parë ende kanë frikë të hynë e të banojnë në shtëpite e tyre, të paktën atje ku ka mbetur një copë strehë për të mbuluar veten.Kështu të 70 banorët e këtij fshati natën e të martës e kaluan jashtë. Madje kryetari i fshatit thotë se edhe natën e të mërkurës do t'a kalojnë përsëri jashtë. Ata si mbrojtje kishin vetëm një zjarr të ndezur në qëndër të fshatit si dhe disa sende, kryesisht divanë dhe karrike që mundën të shpëtonin. Një nga banoret, Alie Jorgji thotë se ajo e kishte mbajtur të mbuluar me batanije vajzën tre muajshe dhe për t'a mbrojtur nga era, e kishte mbështjellë me plastmas. Por nëse tërmeti kaloi, tashmë banorët e tmerruar kanë një ankth tjetër.Toka ku shtrihet fshati i tyre është çarë dhe ka filluar të rrëshqasë.Edhe ata që i kanë pak mundësi për të derdhur para për restaurimin e shtëpisë kanë frike se mos rrëshqasë toka .

Banorët tregojnë tmerrin që kanë përjetuar.

Familja e bllokuar

Me katër pjestarë

Familja Jorgji, që është një nga familjet më të varfëra në fshat ka përjetuar për disa orë tmerrin e parë me sy. Lindita Jorgji thotë se lëkundjet e tërmetit u shoqëruan edhe me jehona. “U ngritëm për të dalë. Marr dy fëmijët e mi, Irinën dhe Enean dhe së bashku me bashkëshortin Petraqin kërkum të dilnim jashtë si gjithë fshati.Por ç'të shihnim, asnjë nga dyert nuk hapej. Mbetëm të bllokuar në njërën dhomë.Ndërkohë që dëgjonim që në dhomën e gjumit,mbi shtrat bie një masiv dheu dhe gurësh.Nga që ishte ftohtë si dhe për të na ruajtur zoti, së bashku me burrin dhe fëmijët ishim mbledhur në kuzhinë. Vetëm pas dy orësh bashkëfshatarët shqyen dritaret dhe derën dhe ne dolëm në qëndër të fshatit”. Kurse Petro, i cili punon me lëndë drusore vetëm tre muaj në vit tregon se së bashku me bashkëshorten Linditën dhe dy fëmijët Irini dhe Enea,kanë mbetur përjashta. Petro thotë se ai nuk ka as para që t'a restaurojë shtëpinë. Godina ku ai banonte me famijen e tij përpara disa vitesh ia kishte falur komuna, pasi ai nuk mund të ndërtonte nga varfëria një shtëpi që t'a kishte të tijën.Por tërë banorët e mbetur të këtij fshati ankohen se asnjëri prej tyre nuk e ka mundësinë që të ndërtojë një shtëpi të mirë.

Ankesat

Banorët e fshatit ankohen se ndryshe nga ç'është premtuar, në fshatin e tyre nuk kanë mbrritur ende ndihmat.Kryetari i fashatit thotë se vetëm sa u bënë statistikat dhe u premtua që do të vinin ndihma, por përsëri asgjë. Të paktën deri në orë 15.00 çadrat që ishin premtuar nuk kishin mbërritur. Ndërsa për ndihma të tjera humanitare as që bëhet fjalë. Madje sipas tij disa nga bashkëfshatarët e tij kanë nevoja edhe për miell që të bëjnë buke.

Ndërhyrja e shtetit

Në qytetin e Ersekës, nën drejtimin e Prefektit të Korçës Niko Peleshi dhe zvendësministrit të Pushtetit Vendor Paqsor Zeneli, është bërë mbledhja e grupit të posaçëm të emergjencave civile. Zëvendës Ministri i Pushtetit Vendor Zeneli në orët e pasdites të së mërkurrës konfirmoi se drejt familjeve të dëmtuara nga tërmeti u janë dërguar ndihmat e para. Kjo ndihmë konsiston në çadra dhe në batanije, ndërsa sipas Zenelit fatura e dëmit në gjithë rrethin e Kolonjës është 64 milonë lekë. Ndihma për disa familje, kryesisht në ushqime, kanë dhënë edhe Kryqi i Kuq dhe Dorkas Albania. Kryesorja është kalimi i fazës emergjente, theksoi prefekti i Korçës Niko Peleshi, më pas për të gjitha do të mendojë shteti nëpër mjet pushtetit vendor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›