E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Korçë dhe Elbasan, greva merr përmasa gjigande

24/11/2004  

Dita e djeshme ka shënuar një zhvillm të ri dhe akoma më të fuqishëm në protestën e madhe që ka përfshirë universitetet shqiptare. Universiteti iShkodrës, ka hyrë në grevë pa afat, ndërkohë që sinjale pro grevës kanë lëshuar edhe universitetet e Korçës dhe të Elbasanit. Ndërkohë që në universitetin e Vlorës, mësimi është zhvilluar normalisht.

Shkodra hyn në

grevë pa afat

Pedagogët e Universitetit “Luigj Gurakuqi” janë hedhur dje në grevë të përgjithshme pa afat, duke mbyllur dyert për 6000 studentë. Ndryshe nga ditët e tjera, kur godinat ku jepej mësim ishin të mbushura më studentë si brenda dhe jashtë, dita e djeshme ka qenë krejtësisht e qetë dhe në dyert e godinave të fakulteteve qëndronin vetëm rojet, ndërsa ambientet ishin boshatisur nga studentët.

Greva e pedagogëve është përkrahur nga të gjithë pedagogët dhe rektorati. Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Mahir Hoti, u shpreh lidhur me këtë grevë se “ka përkrahjen absolute të të gjithë pedagogëve, pasi është një greve e drejtë. Janë probleme të akumuluara siç është problemi i rritjes së pagave apo kriteret e pranimit të studentëve në universitete. Mbështesim kërkesën për autonomi financiare, sepse kjo është një domosdoshmëri dhe Karta e Bolonjes nuk mund të realizohet pa një autonomoi të tillë”, u shpreh Hoti.

Elbasan, studentët e

gazetarisë pro grevës

Studentët e gazetarisë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, kanë qenë të parët që kanë dhënë një mesazh mbështetje në lidhje me grevën e ndërmarrë nga disa universitete në vend për plotësimin e kërkesave të pedagogëve të mbështetura edhe nga ata. Duke organizuar një debat të gjerë me temë greva e pedagogëve dhe mbështetja që duhet të ketë ajo, studentët kanë deklaruar se ata janë të parët që reflektojnë, pasi i përkasin një dege më tepër të ndjeshme ndaj zhvillimeve të ditës. Ndërkohë në heshtje pedagogët e universitetit kanë qenë të gatshëm të mbështesin këtë grevë, por një përçarje e brendshme ndërmjet tyre ka bërë që edhe ditën e djeshme mësimi të vazhdojë normalisht.

Vlora, nën presionin

e pedagogëve

Universiteti i Vlorës prej 3 ditësh ka lënë grevën e nisur në mbështetje të kolegëve të tyre në mbarë Shqipërinë dhe sallat e leksioneve janë mbushur plot e përplot. “Jemi në një gjëndje të rëndë pasi na vjen turp që nuk jemi në mbështetje të kolegëve tanë. Kemi një presin që vjen thjesht e pa shumë bujë e pasojat janë të mëdha. Studentët kanë pasur një dëshirë që të përkrahin kolegët e tyre, por nga mjaft prej pedagogve që nuk dua t’i përmend, u janë përmendur saksionet në provimet” shprehet një pedagog i këtij universiteti që nuk do të identifikohet.

Edhe Korça tashmë

është me protestuesit

Pas shumë diskutimesh Universiteti “Fan. Noli” i Korçës, ka vendosur të përkrahë grevën disa ditorëshe të organizuar nga pedagogët e Tiranës. Në lidhje me nisjen e grevës të këtij universiteti, zëvendësrektorja Evri Pepo shpehet se “Greva e sotme është nisur si një përqafim dhe përkrahje nga ne, për Universitetin Politeknik në Tiranë. Ne thjesht jemi në mbështetje të grevës së tyre. Kjo grevë nëse nuk do të zgjidhë ndonjë gjë, të paktën do arrijë të tregojë se jemi në gjendje të kërkojmë të drejtat tona. Ne kemi vendosur që greva të bëhet tri ditëshe”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›