Meksi: “Qeveria të dëgjojë apelin e opozitës për gjendjen ekonomike”
Deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, duke shprehur shqetësimin për gjendjen ekonomike, akuzoi qeverinë se nuk i publikon kurrë të dhënat e ekonomisë kur ato janë negative. Sipas saj, treguesit realë flasin për një situatë ekonomike të ndryshme nga propaganda e kryeministrit. “Kryeministri pretendon se në 2005-n paska gjetur një borxh publik sa 72% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Borxhi ka qenë vërtet 72% e PBB-së, por jo në 2005-n, por në vitin 1999, si pasojë e katastrofës financiare të shkaktuar nga inspiruesit e piramidave që sot drejtojnë vendin. Në 2005-n, sipas strategjisë së borxhit publik, e cila gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, borxhi ishte 57.4% e PBB-së, duke përgënjeshtruar deklaratën e përsëritur të kryeministrit dhe duke kujtuar se, përkundrazi, nën qeverisjen e tij ai ka kapur nivele tepër shqetësuese”, - u shpreh Meksi. Duke iu referuar botimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare, Meksi tha se Shqipëria rezulton vendi me investimet më të ulëta në rajon. Sipas saj, gjatë kësaj qeverisjeje deficiti është dyfishuar, kostoja e shërbimit të borxhit ka shkuar nga 29.4 miliardë lekë në 2005-n, në 52 miliardë lekë në 2010-n. “I mbetet publikut të shohë shifrat e të gjykojë se në cilën anë qëndron kultura e mashtrimit. Apelet e opozitës për situatën ekonomike si dhe eksperienca e përditshme e qytetarëve kanë rritur vetëdijen e publikut e të medias për shqetësimet e ngritura nga ne. Për Partinë Socialiste është shqetësues vazhdimi i tendencës në rënie i treguesve ekonomikë e konkretisht i të ardhurave buxhetore edhe për gjashtëmujorin e parë të 2010-s”, - tha Meksi.
17 Qershor 2010