Socializëm për të pasurit
Deri në 700 miliardë dollarë do të shpenzojë shteti amerikan për blerjen e borxheve të këqija të bankave. Vlerën e këtyre borxheve nuk e di askush dhe një pjesë jo e vogël e tyre mund të jetë fare e pavlerë. Gabimet, lakmia e pakufi dhe mendjelehtësia, gomarllëku dhe po ashtu veprimet kriminale nuk dënohen ashtu siç e kërkojnë rregullat e ekonomisë së tregut, por shpërblehen. Dhe kjo jo vetëm për faktin se shteti sanon bilancin e bankave, por edhe pse konkretisht, aktualisht bankat investuese në mënyrë të ndyrë janë sërish duke arkëtuar shuma të larta të dollarit, paund-it dhe euros.
Kriza më e madhe bankare që prej të premtes së zezë në vitin 1929 ka krijuar për këtë fushë të ekonomisë një model të ri rregullativ: socializëm për të pasurit. Fitimet privatizohen, humbjet i lihen shtetit dhe mbulohen në fund nga taksapaguesit. Në këtë mes kanë dështuar që të dy: tregu dhe shteti. Tregu ishte shfuqizuar që para 25 vitesh, kur bankat u shkëputen nga ekonomia reale dhe filluan të fryjnë gjithçka në tregun financiar. Shteti ose ka fjetur, ose ka kthyer kokën me qëllim mënjanë gjatë kontrollimit dhe rregullimit të tregut të financave. Një normë prej 25 për qind e më shumë për kapitalin e deponuar është parë si diçka normale në vallen për thesarin e madh. Fjalën kryesore e kishte lakmia. Për shembull “Lehman Brothers” për çdo dollar të investuar në kredi nga kapitali i vet ka dashur të nxjerrë të paktën 30 dollarë fitim. Kështu që duhej të ndodhte kjo, që ndodhi tani.
Në këtë kontekst përshtatet që zjarrvënësi kryesor është në krye të zjarrfikësve. Henry Paulson ka qenë shef i “Goldman Sachs”, njëra prej bankave më të suksesshme investuese dhe tani ai shpëton si ministër i Financave kapitalizmin financiar amerikan. Dhe është më se e qartë se pa pakon prej 700 miliardë dollarësh do të kishte çarje në bursën mbarëbotërore, ashtu siç pat ndodhur në vitin 1929. Me pakon shpëtimtare në Uashington ndihmohen bankat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por njëkohësisht mënjanohet një panik i përgjithshëm në bursën mbarëbotërore. Kjo për faktin se askush nuk beson në fuqinë vetëshëruese të tregut, para së gjithash jo ata, të cilët e dinë saktë sesa joserioze ka qenë rrota e madhe, e cila është rrotulluar nga bankat dhe në bursa në këto dy dekadat e fundit.
Shpëtimi i sektorit financiar nuk ka të bëjë me ekonominë e tregut. Ky rast mëkati për ekonominë e tregut tani duhet të shfrytëzohet si pikënisje e re. Bankat duhet të futen nën mbikëqyrje dhe rregullim më të rreptë. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë menjëherë pas shpëtimit, loja do të fillojë sërish nga e para. Kjo për faktin se lakmia si forcë kryesore shtytëse e bankave joserioze kësaj radhe e mbijetoi krizën e padëmtuar.