Maqedonia ballafaqohet me të ardhmen
Shumë rreziqe i kërcënohen qeverisë së re të koalicionit në Maqedoni. Shkupi i sheh NATO-n dhe BE si prioritete të tij politike, por nuk e arrin dot në cakun e vet pa i dhënë fund konfliktit me Greqinë. Nëse nuk gjen një zgjidhje për çështjen e emrit, Maqedonia nuk do të marrë një ftesë për NATO në Samitin e prillit të vitit 2009 apo nuk do të ketë një afrim të shpejtë me BE. Kjo do të mund të reflektohej negativisht në stabilitetin politik të Maqedonisë, të ndikojë në sigurinë e investitorëve, të hapë probleme të reja për qeverinë dhe parlamentin, të pengojë reformat dhe në rastin më të keq edhe të rrënojë stabilitetin kombëtar. Dështimi i deritashëm për të gjetur një zgjidhje, do të mund të ndikojë edhe te partneri shqiptar i koalicionit, BDI, sidomos kur dihet që prioriteti qenësor i politikës së jashtme për shqiptarët është hyrja në NATO, pasi NATO paraqet aleancën e SHBA. Ngecjet për futjen në NATO janë një arsye për shqetësim për liderët shqiptarë, pasi një gjë e tillë do të mund të shpjerë drejt izolacionizmit dhe nacionalizimit që shqiptarët mund t’i dëmtojë shumë. Qeveria e drejtuar nga VMRO do të mund ta gjejë veten në një spirale të destabilizimit, në të cilën pozita e shqiptarëve vështirësohet, ndërkaq opozita e drejtuar nga SDSM intensifikon sulmin e saj ndaj administrimit të VMRO si pasojë e dështimit të kësaj të fundit për të gjetur formulën për konfliktin me Athinën dhe për ta futur Maqedoninë në NATO apo në BE. Presidenti Branko Cervenkovski vazhdon të kritikojë kryeministrin Nikola Gruevski për pengimin e negociatave me Athinën dhe për shfrytëzimin e çështjes së emrit për qëllime populiste. Nëse Perëndimi është i përkushtuar për të ndihmuar Maqedoninë në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE, konflikti me Greqinë duhet të tejkalohet. Përderisa të dy palët kanë mosmarrëveshje rreth identitetit maqedonas dhe besojnë që rivalët e tyre ose po pretendojnë, ose po e mohojnë këtë identitet për të mbrojtur një axhendë të fshehtë të irredentizmit ose destabilizimit, e vetmja rrugë për të dalë nga konflikti është bërja e dallimit mes maqedonasve grekë dhe maqedonasve sllavë dhe për të lidhur këtë dallim me territorin dhe shtetësinë. Natyrisht, shteti Maqedonas nuk mund të emërtohet Maqedonia Sllave, pasi ajo nuk është një shtet njëkombësh, por një formulë siç është Maqedonia e Re, e cila duket si zgjidhje e mirë, pasi nuk ndërron identitetin maqedonas apo nuk kërcënon shtetësinë e Maqedonisë, por vetëm zhduk çdo arsye për një konflikt të mëtejmë. Është me rëndësi të kujtojmë që qeveria e kaluar e VMRO ka pranuar formulën e vetme identifikuese, Republika e Maqedonisë (Shkup), që është refuzuar nga Greqia pak kohë para samitit të NATO-s. Duket që gjetja e një emri identifikues nuk mjafton, duhet gjetur emri i duhur dhe ç’është me rëndësi, atë emër duhet ta gjejë ana e duhur. Sa më gjatë që vazhdon mosmarrëveshja, aq më i thellë do të bëhet hendeku mes dy palëve, aq më shumë do të dobësohet Maqedonia, dhe Athina do të mund të trimërohet edhe më shumë dhe eventualisht të kërkojë që emri Maqedoni të mos përmendet fare si pjesë e emrit të vendit tjetër, gjë që është e papranueshme dhe jo vetëm për Shkupin. Në këtë rast SHBA do të mund të futen në një konflikt të hapur me Athinën, përderisa shumë vende të rëndësishme të BE do ta përkrahin Greqinë, ndërkaq Rusia do të përfitojë nga ndarja dhe konflikti që do të pasojë. Koha është duke punuar kundër Maqedonisë për së paku pesë arsye. Në radhë të parë, shumë vende ose i janë vënë pas Greqisë, ose nuk duan ta mbështesin Shkupin në mosmarrëveshjen e tij me Athinën. Është vështirë se Shtëpia e Bardhë e Bushit ose administrata e ardhshme e SHBA do të kërkojë nga Greqia që të heqë dorë nga kërkesa e saj, të shpjerë drejt një kolapsi qeverisës dhe të rrisë antiamerikanizmin në Greqi. Uashingtoni konsiderohet si fajtori kryesor në Greqi për mbështetjen e këmbëngulësisë së Maqedonisë për të ndërruar emrin. Është krijuar një mendim që pa mbështetjen e SHBA Shkupi do të lëshonte pe. E dyta, BE duket që nuk dëshiron të përfshihet në proces. BE e konsideron veten një palë interesi dhe nuk mund të ndërmjetësojë një palë interesi që është e painteresuar për procesin apo edhe për rezultatin? Një qëndrim i tillë tregon sesi BE shtyn apo neglizhon ballafaqimin me një sfidë, derisa të shpërthejë një krizë e vërtetë, gjë që mund të ndodhë në rastin e Maqedonisë. E treta, në muajt e fundit, qeveria e drejtuar nga VMRO ka ngritur çështjen e të drejtave kolektive të sllavëve maqedonas në Greqi, ku Greqia sikurse Franca nuk njeh të drejtat e minoriteteve, por vetëm të drejtat që bazohen në shtetësi. Deklaratat e qeverisë së VMRO e kanë armiqësuar edhe më tepër Athinën dhe nuk kanë ndihmuar as pozitën e Maqedonisë në sferën ndërkombëtare. Madje, edhe kandidati për president të SHBA, Barack Obama, e ka mbrojtur pozitën greke. E katërta, popullata shqiptare do të mund të dëshpërohej dhe të armiqësohej edhe më tepër, ndërkaq liderët e saj do të mund të shtynin drejt decentralizimit ose ndarjes së shtetit. Një Maqedoni e destabilizuar nuk është në interesin e askujt, përfshirë Greqinë, pasi mund të shtynte drejt një konflikti të armatosur dhe rritjes së fluksit të refugjatëve në kufirin e saj verior, dhe të ndikonte negativisht në interesat e saj afariste. E pesta, pa vizionin për BE reformat për futjen në BE do të ngecnin, besimi i investitorëve do të binte dhe situata ekonomike në Maqedoni do të përkeqësohej. Në parim, janë tri mundësi zgjedhjeje: ngecje pa zgjidhje, ushtrimi i presionit ndaj Greqisë për të hequr dorë dhe për të pranuar emrin aktual kushtetues, apo ushtrimi i presionit ndaj Maqedonisë për të definuar emrin e saj. Prej të triave përcaktimi i emrit do të ishte zgjidhja më pak destabilizuese për Maqedoninë dhe për rajonin. Për Rusinë, Maqedonia do të mund të shndërrohej në një shtet tjetër “të ngrirë” në Ballkan së bashku me Kosovën dhe me Bosnjë-Hercegovinën. Një Maqedoni jashtë NATO-s dhe BE do të jetë një burim mosmarrëveshjesh, madje edhe konflikti për Uashingtonin dhe Brukselin, përderisa Rusia kërkon të mbrojë axhendën e saj ekspansioniste politike në Evropë, të cungojë ndikimin amerikan dhe të neutralizojë kundërshtimin e Evropës për ri-imperializmin e Moskës. Ambiciet ruse janë një arsye më tepër për të zgjidhur shpejt mosmarrëveshjen rreth emrit të Maqedonisë. Një zgjidhje do t’i ndihmonte Maqedonisë të ruante unitetin e shtetit të saj dhe të mos izolohej nga fqinjët, përfshirë edhe Greqinë. Ajo do të kënaqte dhe do të ri-inkorporonte popullatën shqiptare në shtetin e riemërtuar. Në të njëjtën kohë ajo do të pengonte armiqësimin e Greqisë me SHBA dhe do të parandalonte shtyrjen e Athinës më pranë Rusisë, ngaqë Uashingtoni nuk i ka marrë parasysh vërejtjet e saj.