E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sojsëzë dhe sojlinj

Është folur shpesh për sojsëzë dhe sojlinj në këtë lloj pluralizmi të nakatosur me kaq shumë konfl ikte e mosmarrëveshje, me diferenca morale dhe ekonomike. Kuptimi i këtyre dy përcaktimeve, që vijnë prej së largu, nga trashëgimia osmane, në fakt ka më shumë lidhje me poshtërimin (dikur, në diktaturë, këtë “mision” e kryente lufta e klasave) e politikanëve të sotëm për kundërshtarin, sesa me kufijtë e skrupujt moralë, apo edhe me ata gjenetikë që i ndajnë sojsëzët nga sojlinjtë në të dyja anët e hendekut të sotëm shoqëror.
Kuptimi dhe moskuptimi që i japin qytetarët tipit të sotëm social të një sojsëzi dhe tipit të sojliut është kolokrepsur akoma më shumë në vitet e demokracisë, se ç’ka pas qenë në kohën e “barazisë” apo të kohës së Kanunit. Kjo, për arsye se tanimë sojsëzët janë më të lirë të vetëshpallen ç’janë në të vërtetë; shtiren si sojlinj, mjaft që të kenë pushtet, pasuri, prona, teser partie, apo lidhje “gjaku” me një të madh nga fisi; mjafton edhe që një ish-komunist fanatik të shtiret si antikomunist fanatik, një antifetar si besimtar etj., që të fitojë statusin e lakmuar të sojsëzit. Kokëposhtësia e sistemit të vlerave, kur vlera vlerësohet antivlerë dhe anasjelltas, kur sojsëzi vetëquhet sojli dhe sojliu vetëshpallet sojsëz, sigurisht që ka luajtur rol parësor në këtë drejtim. Sot je më i nderuar dhe më i respektuar po të konsiderohesh nga të tjerët sojsëz se sojli. Është nder dhe favor po të të pranojnë si sojsëz në ndonjë parti e më pas edhe në administratë. Një sojsëzi partiak, me pushtet, çmimi i shtohet ose i bie, në tregun e politikës e të medias, në vartësi të inflacionit të nderit vetjak. Sa më sojsëz, aq më i vlerësuar je. Nuk është e vështirë të kuptohet se cili gëzon më shumë respekt dhe adhurim në shoqëri, një sojsëz i kamur apo një sojli i varfër, një i fortë apo një i dobët i lagjes, një qëndrestar apo një kameleon. Ka ardhur koha që titujt që herë pas here jep Presidenti i Republikës, “Nder i Kombit” dhe “Mjeshtër i Madh”, t’i zëvendësojë me “Sojsëz i Madh” apo “Sojsëz i Kombit”...
 Këto vite në tranzicion e në tjetërsim të shpejtë të njeriut nga njeriu na kanë mësuar këtë të vërtetë të hidhët: një sojsëz nuk bëhet dot sojli, sado të përpiqet, pavarësisht nga kostumet, marka e makinës, vilat në bregdet, tesera e partisë, ndikimi apo fuqia e pushtetit të cilin e ka përfituar prej veprimtarisë politike; ndërsa një sojli nuk e paska të vështirë dhe as të pamundur të bëhet sojsëz, përkundrazi. Janë të pafund shembujt e njerëzve publikë, kryesisht nga fusha e politikës, të cilët ndihen krenarë teksa shfaqen para publikut si sojsëzë të rafinuar e të vetëdeklaruar. Ndoshta edhe në të kaluarën do të ketë pasur po kaq sojsëzë, por ata nuk dukeshin, nuk guxonin të shfaqeshin, nuk ishin kaq agresivë dhe posesivë, nuk kishin kaq legjitimitet dhe publicitet. Sojsëzët e sotëm nuk kanë frikë të bëjnë pis para publikut edhe emrin e tyre. Mjafton të ndjekësh një debat televiziv, ku marrin pjesë politikanë dhe zëdhënësit e tyre, për t’u bindur për këtë. Koha është në duar të sojsëzëve.
Jo pak sojlinj, që kanë trashëguar një mbiemër të njohur, i kemi parë të transformohen, me dëshirë dhe pa i vrarë aspak ndërgjegjja, në sojsëzë të mirëfilltë. E për këtë habitërisht ndihen edhe fodullë, edhe krenarë. Nuk kanë turp, nuk kanë drojë, nuk ngurrojnë të dëshmojnë tjetërsimin e tyre si sojsëzë edhe para kamerave, para familjes po se po, por edhe para syve të popullit. Dalin e mbrojnë hapur krimin, vrasjet politike, vjedhjet e pronave publike, mbrojnë gënjeshtrat e mashtrimet, bëhen demagogë të përkryer, shpëlajnë n’daç edhe turpin dhe faqen e zezë të kreut, të kryesojsëzit të partisë e të qeverisë, vetëm e vetëm që të mbeten “në tavë”. Shpesh vetësojsëzimi shpallet me mburrje si zotësi, si shkathtësi, si mençuri e vyer, e rrallë. Kjo për disa arsye.
E para, sepse transformimi nga sojli në sojsëz quhet -ndoshta jo dhe aq pa të drejtë - “zanati” i vetëm më dobiprurës i kësaj kohe, kushti parësor i cili të hap dyert e karrierës e të suksesit, duke të bërë sakaq të pasur e të shquar, pa shumë mund, pa mend, pa aftësi, talent dhe djersë. Tekefundit ky është haraçi që duhet paguar nëse ke vendosur të merresh (por edhe nëse do që të mbijetosh sa më gjatë) me politikë e me biznes. Ky “haraç” moral të bën deputet, ministër, akademik, pronar, njeri të shquar... Përndryshe, je i falimentuar, i paaftë, i dështuar, një humbameno. Në një shoqëri që komandohet dhe drejtohet nga sojsëzët, me sa duket nuk paskësh tjetër rrugë përveçse të dorëzohesh, d.m.th. të vetëshpallesh sojsëz “i merituar”, sa më bindës për hordhinë e sojsëzëve të nivelit të lartë të pushtetit, të cilët punojnë ditë e natë si e si ta sojsëzojnë fund e krye, mbarë e prapë shoqërinë.
Ky është parimi dhe justifikimi themelor që mbizotëron në moralin e shoqërisë sonë: po mbete i pastër, i papërlyer, i papërzier në llum e klan, vetmitar dhe idealist, je një dështak. As Zogu, as Hoxha dhe madje as më i fundmi i tyre, Saliu, nuk do të kishin mbijetuar e mbretëruar asnjë ditë pa pasur mbështetjen e përkorë të sojsëzëve. Duke e ditur këtë “fuqi”, ata kanë mundur, jo pa sukses, të stimulojnë transformimin e vetëdijshëm të sojlinjve në sojsëzë. Në diktaturë duke i shtypur, vrarë, internuar, degdisur dhe burgosur; në demokraci duke i shpërblyer pinjollët e sojlinjve të dikurshëm me prona, me ndere, me poste dhe ofiqe të pamerituara. Për këtë arsye tek ne ka qenë dhe është tepër e vështirë të gjesh sojlinj të vërtetë. Raca e tyre, e idealistëve, fatkeqësisht ka ardhur duke u shuar. Patëm shpresuar se në demokraci do të ndodhte e kundërta. Tash zotër, jo vetëm të pushteteve të varura e të pavarura, të pasurive dhe të aseteve kombëtare, por edhe të moralit shoqëror, gjithandej, janë bërë sojsëzët. Këta i kemi në krye të sofrës, në krye të Kuvendit, në krye të partive, në krye të qeverive, në krye të gjykatave, në krye të mediave. A nuk u ngritën në detyrë së fundi gjykatësit që kanë vepruar si sojsëzë? Se mos janë këta të parët e të fundit! Po në krye të listave të deputetëve, a nuk janë vënë sojsëzë të mirënjohur, që kanë dhënë prova nëpër parti si të tillë?
Si rezultat i këtij “operacioni” në ind të vlerave të shoqërisë, operacion që garanton sukses të menjëhershëm, nuk janë sojsëzizuar vetëm deputetët dhe njerëzit e politikës, të cilët kalojnë, pa i vrarë ndërgjegjja, herë me një parti, e më pas me “armiken” e përbetuar të saj, por edhe në nivelet më të ulëta, ata që quhen “administratë civile”: gjykatës, prokurorë, komisarë policie, etj... Krerët e partive bëjnë deputetë, ministra, kryetarë institucionesh dhe bordesh pikërisht ata që janë të gatshëm të veprojnë dhe të arsyetojnë si sojsëzë të bindur. Por ashtu si ndodh në karakterin e çdo kameleoni politik, për një pakënaqësi a qejfmbetje, apo edhe për një premtim më të madh, sojsëzët e sotëm hidhen në kampin tjetër, në atë të “armikut”, pa i vrarë ndërgjegjja. Shpërblehen sërish me poste (ministër, deputet, ambasador, akademik etj). Por ama, kur edhe kësaj partie në pushtet fillon e i “hyn uji” nga poshtë, nuk ngurrojnë të kalojnë, “të zhgënjyer”, tek e para, duke sharë e mallkuar atë/ata të cilëve u patën shërbyer... Ky është “rotacioni” i vërtetë që ndodh në Shqipëri: sojsëzët përherë kalojnë me atë që fiton edhe kur ky u ka pas thyer dikur brinjët apo dhëmbët. Ja përse në shoqërinë tonë këta shembuj moralë, të kudondodhur, bajagi të suksesshëm, i detyrojnë njerëzit e zakontë të besojnë se sot ia vlen më shumë të bëhesh e të sillesh si sojsëz sesa si njeri i ndershëm... Ky është morali mbizotërues. Kjo e shpjegon edhe arsyen përse tek ne nuk gjen raste dhe shembuj kur një zyrtar mund t’i lejojë vetes të sillet si administratë civile, si sojli, si fisnik, si i pavarur, pasi kushdo ndër ta e di se kështu nuk do ta ketë karrierën të sigurt.
Mos duhet kërkuar këtu mbrapshtia jonë? Prandaj e vetmja reformë që duhet bërë dhe që përnjëmend ia vlen është desojsëzimi i shoqërisë, i administratës civile dhe, mbi të gjitha, i partive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›