Sokol Olldashi shpall zyrtarisht kandidaturën për kreun e PD. - Mesazh i kryetarit në detyrë të PD, Sali Berisha
- Berisha: Drejtuesit e PD në nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohen në mbështetje të një kandidati të caktuar, pa dhënë më parë dorëheqjen
- Olldashi: Do të ngre opozitën sot për tu rikthyer shumicë nesër – ne do ta çojmë Shqipërinë përpara
Kryetari në detyrë i PD, Sali Berisha
UPDATE- "Mesazh drejtuar të gjithë drejtuesve te PD-se, nga kryetarë seksioni deri në anëtarë të kryesisë së PD dhe për të gjithë anëtarët e PD që punojnë ose mbajnë funksione drejtuese në të gjitha nivelet e qeverisjes sonë qendrore ose vendore: Gara për kryetarin e PD-se, nisi sot me shpalljen e kandidaturës se pare. Ajo është e hapur për çdo anëtar dhe anëtare të PD-së që dëshiron të konkurrojë për lider të PD-së. Ditën e enjte kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë te mbështeten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë mbështetjes së kryesisë së PD-së anëtar apo anëtarë të Partisë Demokratike mund të pengohen dhe nuk mund të konkurrojnë për kryetar të PD-së. Dallimi i vetëm është se ata nuk do jenë kandidatura zyrtare të Kryesisë së Partisë Demokratike. Unë dhashë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD-së, nuk bëra asnjë rekomandim për person të veçantë për zëvendësimin tim. Po kështu, me kryesine e PD-se vendosem qe ne zgjedhjen e kryetarit të ri pushteti të kalojë tërësisht tek anëtarët e PD dhe vota e tyre, duke mos bërë asnjë rekomandim për asnjë person të veçantë, por dhe duke mos penguar asnjeri të marrë pjesë në këtë gare, prandaj në respekt të pushtetit të votës çdo anëtari të PD-së kërkoj që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë. Pra asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdo njëri prej nesh kemi vetëm një votë...Por çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht ose jo publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisë që mban. Ju ftojmë të shndërrojmë këtë proces në një proces dinjitoz të PD-së për një fillim të ri të fuqishëm të saj!"
Sokol Olldashi, kandidati i parë zyrtar për kreun e PD
Sokol Olldashi shpall zyrtarisht kandidaturën për zgjedhjet që do të mbahen për kreun e ri të Partisë Demokratike. Ishte vetë Olldashi ai i cili bëri publik një vendim të tillë, përmes një deklarate për shtyp nga selia e Partisë Demokratike. “Pas shumë e shumë takimesh me përfaqësues të institucioneve bazike te Partisë Demokratike dhe pas një takimi që kam zhvilluar dje me Kryetarin Sali Berisha, i jam drejtuar sot Kryesisë së Partisë me kërkesën për regjistrimin e kandidaturës për garën e shpallur për funksionin e Kryetarit të Partisë Demokratike, parti ku unë militoj prej 23 vjetësh”, u shpreh Olldashi. Gjithashtu, në këtë dalje publike Olldashi dha dhe arsyet se përse zgjodhi të ishte pjesë e kësaj gare. “Hyj në garë me dëshirën për të përfaqësuar militantët e partisë, anëtarët e Partisë Demokratike por edhe ata që janë pjesë e opozitës që kjo parti ka zhvilluar në vitet ’97-2005 dhe pjesë e arritjeve madhore të qeverisë së kësaj partie në vitet 2005 e deri më sot. Hyra në garë me vendosmërinë për të fituar përgjegjësinë e përfaqësimit të 100 mijë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe me synimin për të rindërtuar themelet morale mbi të cilat bashkë me ta do të ngre opozitën sot për tu rikthyer shumicë nesër. Sepse besoj se proceset zgjedhore nuk janë pazare dhe se shumica e shqiptarëve ende besojnë në moralin dhe me idenë për të çuar vendin përpara!”, deklaroi ai. Sokol Olldashi është i pari në radhën e kandidatëve që hyn në garë për kreun e ri të PD-së, pas dorëheqjes nga kjo detyrë të z.Berisha. Prezantimi i kandidatëve përfundon të enjten në mesnatë, ndërsa më pas procesi kalon në dorë të anëtarësisë, të cilët sipas parimit “një anëtar, një votë”, do të zgjedhin kryetarin e ri të Partisë Demokratike.
Paloka: Berisha, vështirë të zëvendësohet – në garë do të jenë personalitete me vlera
Deputeti demokrat, Edi Paloka analizon situatën në kampin blu pas dorëheqjes së kreut të PD, Sali Berisha dhe çeljes së garës për një lidership të ri
Është e vështirë të zëvendësosh Sali Berishën për drejtimin e selisë blu. Kështu e ka cilësuar garën për lidershipin e ri deputeti demokrat Edi Paloka ndërsa thotë se personalisht nuk do të bëhet pjesë e kësaj gare. Megjithatë Paloka pohon se në këtë garë duhet të përballen personalitete me vlera të cilat sipas tij nuk mungojnë në radhët e demokratëve. Por përtej një analize të mundshme për humbjen e PD-së në zgjedhjet parlamentare, Paloka shprehet se ajo që u vu në dukje në këtë proces ishte shitja e votës. Megjithëse ende është e paqartë procedura që do ndiqet për votimin e kreut të PD-së, ajo që dihet tashmë është votimi sipas parimit një anëtar një votë.
...