E Diel, 1 Nëntor 2026

Sokoli nuk e sheh Hysin në mesin e favoritëve

Prishtinë, 17 gusht - Hysi ka ngjallur frikë te të gjitha skuadrat e Superligës pas startit të furishëm në edicionin 2010/2011. Skuadra llapjane të dielën në Merdar, në kuadër të javës së parë mposhti me rezultat 5:0 fituesen në fuqi të Kupës, Lirinë e Prizrenit. Para fillimit të edicionit Liria vlerësohej në mesin e favoritëve për titull.
Me gjithë fitoren e thellë kundër njërit prej pretendetëve, trajneri dhe lojtarët e Hysit nuk e vlerësojnë skuadrën e tyre kandidate për titull. Trajneri Bylbyl Sokoli thotë se për titull këtë kampionat do të luftojnë Prishtina e Trepça. Trajneri më i trofeshëm kosovar, Sokoli, drejtimin e Hysit e mori muajin e kaluar. "është fillimi i kampionatit dhe nuk mund të vlerësoj nëse do të luftojmë për titull. Ne do të angazhohemi maksimalisht për t'u prezantuar sa më mirë në Superligë. Pretendentë kryesor për titull janë Prishtina e Trepça. Jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve në takim kundër Lirisë", ka thënë Sokoli të hënën.
Hysi para fillimit të kampionatit të kaluar pati vënë kandidaturë për titull, por në fund pati përfunduar i gjashti.
Hysi në kuadër të javës së dytë luan si mysafir kundër Prishtinës. Skuadra e kaltër në javën e parë fitoi 1:0 si mysafir kundër KEK-ut. Trajneri Sokoli këtë ndeshje e vlerëson si shumë të vështirë.
Kundër Lirisë, dy gola për Hysin i shënoi Labinot Osmani. Nga një herë shënuan Mentor Zhdrella, Kastriot Rexha dhe Granit çekaj.
"Jemi të kënaqur me paraqitjen që kishim në ndeshjen e parë dhe shpresoj se njëjtë do të vazhdojmë edhe në takimet e rradhës. Më i rëndësishëm se titulli është formimi i një skuadre të fortë. Po ashtu synojmë që të ngremë nivelin e lojës", ka thënë sulmuesi Labinot Osmani. Ai edicionin e kaluar ishte shënuesi më i mirë në Superligë.
Fitorja e thellë në xhiron e parë ka befasuar edhe vetë kapitenin e skuadrës, Mentor Zhdrellën.
"Kam besuar se do të fitojmë, por jo me rezultat kaq të lartë. Kemi startuar mirë dhe do të tentojmë që me lojëra të mira të futemi në luftë për titull", ka thënë Zhdrella.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›