E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sokoli, trajner i ri i Hysit

Hysi ka gjetur pasardhësin e Luan Prekazit në postin e trajnerit, i cili u shkarkua në javën e kaluar për shkak të rezultateve negative.

Kështu, në vazhdim të kampionatit, Hysi do të udhëhiqet nga trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli, i cili gjatë këtij edicioni me plot sukses e ka drejtuar KEK-un, ekip ky që aktualisht gjendet në vendin e dytë në tabelë.

Kontrata e Sokolit me KEK-un ishte e paraparë të skadojë në fund të këtij kampionati. Por, pronari i Hysit, Hysen Sadiku tha se ka arritur marrëveshje me zyrtarët e KEK-ut, për transferimin menjëhershëm të Sokolit nga Kastrioti në Merdar.

“Unë kam kërkuar nga Kryesia e KEK-ut ta lirojë Bylbyl Sokolin të transferohet në klubin tim. Drejtuesit e KEK-ut u pajtuan falë marrëdhënieve të shkëlqyeshme që kam me ta. Pra, nuk bëhet fjalë për pagesë të ndonjë dëmshpërblimi”, deklaroi Sadiku për Express, të dielën, i cili tha se Sokoli fillimisht do ta ndihmojë Hysin në këtë edicion, e më pas pritet të nënshkruhet kontrata afatgjate.

Expressi ka provuar të kontaktojë edhe kryetarin e KEK-ut, Istref Klinaku, por kjo ka qenë e pamundur, pasi ai nuk e ka hapur telefonin.

Megjithatë, bosi i klubit bardhezi, Hysen Sadiku beson se skuadra e tij me Sokolin tani do të ecë edhe më sigurt drejt titullit të kampionit.

“Jam i bindur se Hysi do të stolisej me titull edhe pa Sokolin, e lëre më me të, të cilin tani e kemi në ekip”, pohoi Sadiku.

Pas shkarkimit të Prekazit, Hysin e ka udhëhequr drejtori sportiv i ekipit, Arbnor Morina, i cili nga e hëna do t’i kthehet detyrës së mëparshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›