Solana: Ende ka probleme në Ballkan
Gjatë një fjalimi që ka mbajtur në një fondacion në Londër, me temë "Roli global i Europës", shefi i diplomacisë së Bashkimit Europian, Javier Solana, nuk i ka kursyer fjalët për BE-në dhe politikën në rajonin e Ballkanit, në të cilën dhe vetë ai ka patur rol kyç. Pasi ka diskutuar për sfidat në Lindjen e Mesme dhe në rajone të tjera të botës, pjesën e fjalimit që i kushtohet rajonit problematik, ai e ka titulluar: Ballkani: nevoja për politikë të mirë. Sipas Solanës, perceptimet e BE-së dallojnë thellësisht me ato të vendeve të rajonit. "Ne i ndjejmë dhe i trajtojmë sikur të ishin gjysmë të futur në BE, e fjala e shenjtë që vazhdojmë të përsërisim është Perspektiva Evropiane, për anëtarësimin eventual. Por perceptimet në rajon janë të ndryshme. Atje ka një sens të mungesës së progresit dhe të largimit nga qëllimi i zgjerimit", vlerëson kryediplomati. Në fjalimin e tij ai përkujton se prej kësaj zone ka lindur edhe politika e jashtme e BE-së, e ndërsa vëmendja e Unionit tërhiqet nga çështje e rajone të tjera në botë, ai thekson se puna në Ballkan nuk ka përfunduar ende. Ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s kur u bombardua Serbia e Millosheviçit, e prej dy madatesh shef i diplomacisë europiane të BE-së, Javier Solana ka filluar të flasë hapur vetëm pak ditë pasi deklaroi se do ta lëshojë këtë post në tetor për të mos u kandiduar më.