“Allegretto Albania” e Stefan Çapalikut në teatrin “Odeon” të Bukureshtit
Pas rrugëtimit në skenat shqiptare, (Teatrin Kombëtar etj.) drama e autorit Stefan Çapaliku, “Allegretto Albania”, është ngjitur me sukses edhe në teatrin shtetorër “Odeon” në Bukuresht të Rumanisë. Ky aktiviet është organizuar para pak kohësh në kuadër të projektit “Dramaturgët e sotëm” nga fondacioni “Camil Petrescu” dhe Ambasada e RSH-së në Rumani. Pjesa është përkthyer nga Marius Dobrescu, ndërkohë që drama shqipe u përgatit për skenën nga regjisori Dumitru Cristian dhe u interpretua prej aktorëve të Teatrit “Odeon”. Pas shfaqjes u zhvillua edhe një diskutim i gjerë mbi përmbajtjen e dramës, gjithashtu, të pranishmit i drejtuan pyetje autorit. Po kështu, me interes ishte edhe diskutimi mbi fenomenet e dramaturgjisë shqiptare dhe asaj bashkëkohore. Në këtë aktivitet merrnin pjesë ambasadori ynë në Rumani Dashnor Dervishi dhe dhjetra specialistë të teatrit, dashamirës, intelektualë, studentë të Akademisë së Teatrit dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Rumani. Përveç autorit Çapaliku që ishte në qendër të diskutimeve, folën edhe ambasadori Dervishi, kritiku Luan Topçiu, drejtorja e fondacionit “Camil Petrescu” etj. Drama “Allegretto Albania” (2006) është vënë në skenë në Teatrin Kombëtar në Tiranë në vitin 2008. Ajo është futur edhe në antologjinë bashkëkohore të dramaturgjisë Ballkanike, e botuar vitin e kaluar në gjuhën rumune nga fondacioni kulturor "Camil Petrescu”. Përsa u takon diskutimeve të mbajtura në Bukuresht, të pranishmit kanë vlerësuar nivelin artistik të pjesës nga Shqipëria, simbolikën dhe ngjashmëritë e saj në mjedisin ballkanik, si dhe mesazhin filozofik të veprës dhe kontekstin e dramaturgjisë bashkëkohore shqiptare.
14 Maj 2009