E Diel, 1 Nëntor 2026

Kule, urdhër fakulteteve: “Pedagogët ti paguani si vitin e kaluar”



Jonida Tashi

Pedagogët e Universitetit të Tiranës do të vazhdojnë të marrin të njëjtën pagë si vitin e kaluar. Ky është vendimi më i fundit i marrë dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, për pagesën e pedagogëve gjatë vitit akademik 2008-2009. Madje, ditën e djeshme, Kule i ka dërguar një urdhër zyrtar drejtuesve të tetë fakulteteve të UT-së në të cilin thuhet se pagesa e pedagogëve edhe gjatë këtij viti akademik do të bëhet sipas së njëjtës procedurë që është zbatuar gjatë vitit akademik 2007-2008. Burime nga Drejtoria e Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, bëjnë të ditur se vendimi për nisjen e këtij urdhri në fakultete është marrë nga vetë rektori Dhori Kule. Fakti që Ministria e Arsimit nuk ka përcaktuar ende aktet nënligjore për trajtimin financiar të personelit akademik, ashtu siç përcaktohet edhe në udhëzimet që kjo Ministri i ka nisur universiteteve nga viti 2006 deri në fund të vitit akademik 2007-2008, e ka detyruar kreun e Universitetit të Tiranës që ta cilësojë si të drejtë ligjore që pedagogët të marrin të njëjtën rrogë që kanë marrë edhe një vit më parë. Sipas drejtuesve të universiteteve, nëse pagesa e pedagogëve do të ndryshonte gjatë këtij viti, Ministria jo vetëm që duhet t’i kishte udhëzuar ata paraprakisht, por duhet të kishte miratuar edhe aktet nënligjore në zbatim të ligjit “Për arsimin e lartë”.
Shtesa
Urdhri për heqjen e shtesës mbi pagë për lektorët me “Master të Nivelit të Dytë” mban firmën e ish-ministrit të Arsimit, Genc Pollo. Burime zyrtare nga Universiteti i Tiranës bëjnë të ditur se ky urdhër u është përcjellë universiteteve në fund të vitit akademik 2007-2008, kohë në të cilën Genc Pollo kryesonte dikasterin e Arsimit. Mësohet se iniciator për hartimin e këtij urdhri ka qenë ish-ministri i Arsimit, ndërsa pasardhësi i tij, Fatos Beja, është detyruar thjesht ta përcjellë atë. Të informuar vetëm në fillim të këtij viti akademik për heqjen e shtesës mbi pagë prej 100 mijë lekësh në muaj, për “Masterin e Nivelit të Dytë”, lektorët dhe drejtuesit e universiteteve publike presin tërheqjen e Ministrisë së Arsimit për zbatimin e tij. Nëse ky urdhër do të zbatohet gjatë këtij viti akademik, mbi 500 pedagogë në shkallë vendi, që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë” dhe japin një cikël të plotë leksionesh në universitete, do të pësojnë ulje në pagë.
Urdhrat
Tre urdhra brenda dy vitesh në kohë të ndryshme janë nisur nga Ministria e Arsimit në universitete për trajtimin financiar të trupës pedagogjike. Por, ajo që mbetet e paqartë jo vetëm për drejtuesit universiteteve dhe fakulteteve, por edhe për pedagogët, nuk është fakti se si janë paguar apo si do të paguheshin pedagogët në vitet përkatëse, por ç’do të ndodhte ose ç’do të thotë se ky urdhër është i vlefshëm deri në fund të vitit akademik 2007-2008, deri në miratimin e akteve nënligjorë në fuqi. Tashmë drejtuesit e universiteteve, fakulteteve dhe pedagogët janë gjendur në këtë pikë që nuk dinë t’i japin zgjidhje, pasi nuk janë këta personat përgjegjës për miratimin e akteve nënligjore, por Ministria e Arsimit dhe qeveria. I pari që ka vendosur të marrë hapa konkretë për zgjidhjen e tij është rektori i UT-së. Urdhri i parë për pagesën e pedagogëve që bëjnë pjesë në kategorinë “Lektorë” u është dërguar universiteteve nga Ministria e Arsimit më 15 qershor të vitit 2006. Ministria e Arsimit i ka nisur një shkresë zyrtare Universitetit të Tiranës, për ndryshimin e emërtesës “Asistent në shkollat e larta” me emërtesën “Pedagog”. Sipas kësaj shkrese, ndryshimi i emërtesës duhet të bëhej për vitin mësimor 2006-2007 dhe vetëm për asistentët me diplomë “Master”, që japin cikël të plotë leksionesh. Ndërsa për vitin mësimor 2005-2006, asistentët me diplomë “Master”, që japin një cikël të plotë leksionesh duhet të paguheshin me të ardhurat e institucionit.
Ministria
Më pas, më datën 15 nëntor të vitit 2007, Ministria e Arsimit i ka urdhëruar drejtuesit e universiteteve publike që edhe në vitin 2007-2008 trajtimi financiar i personelit në arsimin e lartë do të jetë i njëjtë deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të Ligjit Nr.9741, datë 21.05.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”. Ndërsa në datën 27 maj të vitit 2008, drejtuesi i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u ka komunikuar fakulteteve në varësi të tij urdhrin e MASH-it se trajtimi i asistentpedagogëve që kanë diplomën “Master” dhe japin një cikël të plotë leksionesh si “pedagogë pa gradë” është i vlefshëm deri në fund të vitit mësimor 2007-2008, deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit “Për arsimin e lartë”. Problemi për pagesën e pedagogëve gjatë këtij viti akademik është ngritur gjatë ditëve të fundit edhe nga drejtuesi i Universitetit Politeknik në Tiranë, Jorgaq Kaçani. Ky i fundit i ka kërkuar Ministrisë së Arsimit që të përcaktojë procedurat që ai duhet të zbatojë për pagat e lektorëve me diplomë “Master i Nivelit të Dytë”. Në ligjin “Për arsimin e lartë” përcaktohet se në kategorinë “Lektorë” bëjnë pjesë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-shkencore. Sipas këtij ligji, lektorët duhet të kenë diplomë “Master i Nivelit të Dytë” dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Kurse ndarja në nivele, brenda secilës kategori, emërtimi dhe renditja e tyre, si dhe kritere më të hollësishme kualifikimi për secilin rast përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, referuar edhe përshkrimit të vendit të punës.

Koha e pjesshme, universitetet kërkojnë ulje të tarifave për disa degë

Universitetet kanë kërkuar ulje të tarifave të studimit për disa degë në studimet me kohë të pjesshme. Ulja e tarifave propozohet për çmimet nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë. Drejtuesit e fakulteteve, ku do të ndiqen studimet me kohë të pjesshme gjatë këtij viti akademik, janë shprehur se në rast se kërkesat do të jenë më të larta se kuotat e propozuara, një ndër kriteret kryesore të përzgjedhjes do të jetë mesatarja. Por përveç këtij kriteri, ata nuk e përjashtojnë as mundësinë e përzgjedhjes me anë të provimeve në raste të caktuara. Udhëzimi për fillimin e programeve të studimeve universitare me kohë të pjesshme (part-time) do të jetë gati pasi të përfundojnë rishpërndarjet e 4 mijë kuotave vakante dhe regjistrimet në programet e studimit të ciklit të dytë e Master i nivelit të parë. Aktualisht, specialistët e arsimit në MASH po njihen me kuotat e propozuara nga universitetet për përgatitjen e udhëzimit për studimet part-time. Bashkë me publikimin e udhëzimit do të përcaktohen tarifat e studimit dhe kriteret e pranimit në studimet me kohë të pjesshme.

Formulari A3, rreth 1600 studentë kanë kërkuar ndërrim dege

Rreth 1600 studentë në rang vendi, edhe pse aktualisht kanë fituar një të drejtë studimi, kanë dorëzuar pranë Agjencisë Kombëtare të Pranimeve (APRIAL) kërkesat e tyre për ndërrimin e degës universitare, në kuadër të rishpërndarjes së 4000 kuotave vakante në 11 universitetet shtetërore. Drejtori i APRIAL-it, Frederik Shalësi, bën të ditur se rreth 90 për qind e 1600 studentëve kanë bërë kërkesë për ndërrim dege vetëm sepse iu dha mundësia dhe jo sepse e drejta universitare e fituar aktualisht nuk ishte e përfshirë në preferencat e tyre gjatë dy fazave të pranimit. Ai sqaron se pasi kërkesat e këtyre studentëve u shqyrtuan brenda afatit të vendosur nga Ministria e Arsimit, nisi aplikimi i Formularit A3. Sipas MASH-it, nëse këta studentë nuk fitojnë gjatë fazës së tretë degën e dëshiruar, ata do të vijojnë studimet në degën ku janë shpallur fitues. Pas dorëzimit të formularëve të plotësuar, APRIAL ka nisur përpunimin e të dhënave dhe mw 5 nëntor do të shpallet lista përfundimtare e kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës.

Tiranë, 1200 maturantë plotësojnë Formularin A3 për një të drejtë studimi

Rreth 1200 kandidatë për studentë në kryeqytet, të cilët nuk kanë mundur të fitojnë një të drejtë studimi gjatë dy fazave të para, kanë plotësuar Formularin A3. Lajmi bëhet i ditur nga specialisti i Drejtorisë Arsimore në Tiranë, Muharrem Mesi, i cili sqaron se Drejtoria Arsimore e kryeqytetit, bazuar në udhëzimin e MASH-it për 4 mijë vendet vakante nëpër universitete, do të dorëzojë sot në mëngjes 1200 formularët e aplikuar në Agjencinë Kombëtare të Pranimeve (APRIAL), strukturë që do të përcaktojë kandidatët fitues deri më 5 nëntor. Rezultatet e fituesve do të përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve (APRIAL), sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të “Maturës Shtetërore”, disa programeve studimi, rezultateve të konkursit si dhe vullnetit të kandidatëve i shprehur përmes preferencës më të lartw të zgjedhur prej tyre në Formularin A3. Pas përpunimit të rezultateve nga APRIAL, MASH do t’i dorëzojë këto lista pranë universiteteve më 6 nëntor, kur do të nisë dhe afishimi i tyre. Regjistrimi i kandidatëve fitues do të bëhet pranë sekretarive të fakulteteve nga data 7 deri në 15 nëntor.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›