Buxheti i Bashkisë për 2009-n, qytetarët do të investojnë me 10 për qind të vlerës
Emanuela Sako
Qytetarët e Tiranës nuk dëshirojnë të investojnë për lagjet e tyre, për të qenë pjesë e investimeve nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për 2009-n. Banorët e disa njësive pohojnë se nuk janë dakord që të bëhen pjesë e investimeve për shkak të pamundësisë ekonomike, ndërsa pretendojnë që të jetë Bashkia ajo që duhet të investojë me buxhet të plotë lidhur me ndërtimin e ambienteve publike. Pak ditë më parë kryebashkiaku Edi Rama paraqiti një alternativë të re për të pasuruar buxhetin e Bashkisë për vitin e ardhshëm. Projekti i ri parashikon që 10% e fondit të investimeve të Bashkisë do të jetë fondi i komunitetit, i cili do të përcaktojnë edhe zonat ku do të ndërhyhet. “Fondi i komunitetit është 10% dhe janë 3 milionë dollarë, të cilat ne do t’i ndajmë duke u nisur vetëm nga fjala juaj dhe duke nxitur organizimin e vogël komunitar të individëve dhe familjeve që jetojnë së bashku në një rrugicë, në një pallat apo në një grup pallatesh”, - është shprehur Rama.
Projekti
Buxheti i Bashkisë për 2009-n është parashikuar të jetë 3 milionë dollarë, të cilat do të investohen për transformimin e mjediseve në ambiente çlodhëse për komunitetin. Fondi i përcaktuar për vitin e ardhshëm do të shpërndahet në bazë të nevojave që ka çdo njësi bashkiake. Kështu, shpërndarja e tij do të bëhet nëpërmjet dëgjesave që do të zhvillojë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në çdo njësi bashkiake. Qytetarët do të kenë mundësinë që të japin alternativat e tyre për problemet që kanë në çdo lagje përkatëse. Pas njohjes me problematikën e gjerë dhe relacionit të përgatitur nga njësitë bashkiake përkatëse do të përcaktohet dhe shpenzimi i fondit apo ndërhyrjet që duhet të bëhen në ambientet përkatëse.
Zbatimi
Pas përcaktimit që do të bëhet për buxhetin e vitit të ardhshëm pritet zbatimi i menjëhershëm i programit me punët që do të kryhen në komunitet. Ndërhyrjet që do të kërkojnë qytetarët do të jenë të menjëhershme, pasi ka mjaft zona, të cilat janë piketuar për problematikën që mbajnë. Gjatë 2007-2008-s Bashkia e Tiranës organizoi rreth 22 dëgjesa publike pas së cilave u morën dhe u shkëmbyem mjaft ide për prioritetet dhe projektet e qytetit. Të gjitha problemet që u paraqitën nga qytetarët vitin e kaluar tashmë janë konkretizuar dhe një pjesë e tyre janë ende në proces realizimi.
28 Tetor 2008