Transplanti i organeve, prokurori serb vjen të hetojë “me duar në xhepa”
Habjon Hasani
Tiranë - Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama ka takuar prokurorin serb të Krimeve të Luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili ka mbërritur në Shqipëri së bashku me zëvendësprokurorin e zëdhënësin e tij. Interesimi i prokurorit serb lidhet me pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, e cila është deklaruar se ka pasur trafik organesh të qytetarëve serbë në një bazë në veri të Shqipërisë. Megjithatë, pretendimet e prokurorit serb nuk kanë shkuar më tej se ato të librit të Karla del Pontes, pasi përveç denoncimit që bëhet në librin e Del Pontes, Vukçeviç nuk ka sjellë asnjë provë apo indice me vete që do të mund të jepte ”shenja jete” për këtë dosje që deri tani ka bërë veç jehonë mediatike pasi gjurmët konkrete nuk gjenden askund. “Prokurorja e Përgjithshme bëri prezent gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005) që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorë të rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel nuk rezultuan të vërteta”, - saktësonte dje lidhur me rezultatet e hetimit zyra e shtypit e prokurores së Përgjithshme Ina Rama.
Del Ponte
Karla Del Ponte, duke cituar atë që vetë ajo e ka përshkruar në libër si një ‘raport të besueshëm të dëshmitarëve’, deklaron se guerilasit kosovarë kanë transportuar me qindra të burgosur serbë në veri të Shqipërisë. ”Ata u vranë dhe organet e tyre u morën”, - shkruan del Ponte në librin e saj ”Gjuetia”. Qeveria kosovare, e drejtuar nga Hashim Thaçi, i ka mohuar këto akuza duke i quajtur të pavërteta, ndërsa Rusia dhe Serbia kanë filluar hetimet për 'krimet e luftës'. Del Ponte, ambasadore e shtetit të Zvicrës, është urdhëruar nga qeveria e saj të heshtë tani që jehona e librit të saj ka shkaktuar reagime të fuqishme kontradiktore mes palëve. Por pretendimet e shkruara në libër të Del Pontes janë kundërshtuar dhe nga dëshmia e ish-kryeprokurorit shqiptar Theodhori Sollaku, i cili ka thënë se “një delegacion i kryesuar nga Del Ponte erdhi në vitin 2004 dhe kërkoi investigim mbi këtë çështje. Në bashkëpunim u kryen kërkimet dhe të dyja palët pranuan se nuk ekzistonte asnjë shenjë e vetme që mund të mbështeste këtë pretendim”.
Zvicra
Ministria e Jashtme e Zvicrës i ndaloi ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës, Karla del Ponte, promovimin e një libri që fliste kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri përshkruan masakrat, që, sipas del Pontes, janë kryer nga ushtarët e UÇK-së, por Ministria e Jashtme e Zvicrës u shpreh kundër tij dhe kërkoi "kthimin e menjëhershëm" të Del Pontes në Argjentinë, ku ajo ushtron funksionin e ambasadores. Pas kësaj kërkese, qeveria zvicerane ia ndaloi ish-kryeprokurores së Hagës promovimin e librit “Ndjekja, unë dhe kriminelët e luftës”, që kishte parashikuar ta bënte në Milano, pasi ky promovim "nuk pajtohet me misionin e ambasadores". "Ato që ka shkruar në libër Karla del Ponte dhe promovimi i tyre nuk pajtohen me funksionin e ambasadores së shtetit zviceran, prandaj i ndalohet urgjentisht promovimi i tij derisa është përfaqësuese e Konfederatës Zvicerane", - citojnë mediat zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Zhan Filip Zhanera, reagim ky që erdhi fill pas shpërthimit të polemikave.
Zëdhënësja përgënjeshtroi Del Ponten publikisht
Ish-zëdhënësja e Del Pontes, Florence Hartman, e akuzoi ashpër shefen e dikurshme duke deklaruar se gjithçka ishte veçse një fantazi e saj. Në një shkrim të botuar në të përditshmen zvicerane “Le Temps”, Florence Hartmann e vlerëson si të “papërgjegjshme” dhe të “padenjë” paraqitjen “si fakt i vërtetuar të diçkaje që ishte e pamundur të provohej në realitet”. “Zëra për trafik organesh i shoqërojnë gjithmonë konfliktet, por rrallë rezultojnë të vërteta”, - vlerësoi ish-zëdhënësja, duke nënvizuar se “ruajtja e zinxhirit të ftohtë dhe kushtet e asepsisë e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë zbatimin real të praktikave të tilla”. Pavarësisht nga kritikat dhe reagimet e shumta, Këshilli i Europës ka vendosur të hetojë seriozisht “akuzat” e Del Pontes në librin e saj të fundit. KE ka emëruar senatorin Dick Marty për të hetuar në lidhje me trafikun e organeve të të burgosurve serbë gjatë luftës në Kosovë. Senatori zviceran udhëtoi drejt Prishtinës për të hartuar një raport për këtë çështje. Ndërkohë, Prishtina dhe Tirana i kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga Del Ponte. Kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, emri i të cilit përmendet në rrëfimet e Del Pontes, ka deklaruar se pretendimet e ish-kryeprokurores janë të pabazuara. Ndërsa, ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i cilësoi akuzat e ngritura nga Del Ponte si “trillime dhe absurditete”.
Prokurori serb nuk jep asnjë të dhënë për çështjen
Prokurori i krimeve të luftës, Vladimir Vukçeviç, i cili vizitoi dje Tiranën, është bërë shpesh objekt në artikujt e mediave më të rëndësishme ndërkombëtare por vetëm si hetues i kësaj çështjeje pa sjellë kurrë ndonjëherë elemente që mund të mbështetnin sipërmarrjen e tij të re. Madje, edhe disa muaj më parë, kur Prokuroria e Beogradit shpalli zyrtarisht hetimet, zëdhënësi i këtij institucioni la të kuptohej se shkas ishte bërë vetëm pretendimi i paqartë i librit të Karla Del Pontes. “Hetimet në lidhje me rrëmbimin dhe trafikimin e organeve të serbëve të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999 nisën nga Prokuroria e Beogradit dhe deri tani është bërë mjaft për të zbuluar të vërtetën e asaj që ndodhi në vitin 1999 në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë”, - tha zëdhënësi i prokurorisë serbe Vekariç pak javë më parë. Por ai refuzoi të jepte detaje të hetimit, por konfirmoi për agjencinë e lajmeve TANJUG se “gjithçka tregon për lidhjen e çështjes me një formë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ku mund të jenë përfshirë “zyrtarë të administratës aktuale shqiptare”. Vekariç tha se kishte mundësi që zyrtarë të UNMIK-ut të kishin lidhje me krimin, gjë që e vuri në dukje edhe Del Ponte. Megjithatë, deri sot dosjes se Prokurorisë së Beogradit nuk i është shtuar asgjë tjetër përveç pesë fletëve të përkthyera nga libri i Del Pontes.
28 Tetor 2008