E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa shqiptare, si do të funksionojë shitja e titujve për kompanitë private



Ervin Koçi

Krijimi i një burse në vendin tonë për shitjen e të gjitha llojeve të aksioneve, obligacioneve dhe letrave me vlerë është më pranë realitetit se kurrë. Banka e Shqipërisë në mbledhjen e saj më të fundit ka miratuar rregulloren mbi licencimin dhe mbikëqyrjen e bursës së titujve. Me një vendim të tillë i është hapur rruga tregtimit të pronave apo dhe të aksioneve të ndërmarrjeve private në një treg të kontrolluar. Kjo projektrregullore u përgatit me asistencën e FSVC-it, e cila ofroi konsulencë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të Polonisë. Në përgatitjen e rregullores janë marrë parasysh eksperiencat e vendeve të Europës Lindore. Në këtë treg, veç aksioneve të ndërmarrjeve private “sh.a” apo dhe “sh.p.k”, do të tregtohen dhe obligacione (borxhe të njohura me kontratë) apo dhe letrat me vlerë, por jo të formës së ndarë në masë si në vitet 1992-1996. Gjithashtu, sipas ligjit në këtë treg (bursë) mund të marrin pjesë edhe individë të caktuar por që më parë duhet të plotësojnë një mori kriteresh për t’u klasifikuar.

Kriteret

Rregullat e listimit të bursës së titujve përcaktojnë kriteret, kushtet dhe procedurat e listimit, pezullimin dhe heqjen e listimit të titujve dhe instrumenteve të tjera financiare nga bursa e titujve. Në to mund të specifikohen kushte shtesë për pranimin e titujve dhe instrumenteve të tjera financiare për tregtim, qëllimi i vetëm i të cilave do të jetë mbrojtja e interesave të konsumatorëve. Në raste të tilla, subjekti që aplikon për pranimin e titujve apo instrumenteve të tjera financiare të caktuara për listim duhet të informohet për këto kushte shtesë para dorëzimit të aplikimit. E domosdoshme mbetet kërkesa për ekspozim të informacionit, njoftimeve dhe kërkesave të tjera për qeverisjen e shoqërive në lidhje me shoqëritë e listuara. Këto kushte nuk do të jenë më pak të detajuara ose më pak të rrepta sesa kërkesat e parashtruara nga ligji dhe aktet nënligjore të Autoritetit për shoqëritë e listuara. Rregullat e listimit duhet të përmbajnë një procedurë që do të ndiqet në rast se emetuesi nuk i plotëson kërkesat e lartpërmendura, të specifikuara në rregullore. Ndërkohë, nuk do të lejohen kushte në transferimin e titujve që do të tregtohen në bursa.

Rregullat e tregtimit

Aksionet dhe obligacionet që do të tregtohen në bursën e titujeve do të ndërtohet mbi bazën e disa rregullave që do të quhen “rregullat e tregtimit”, të cilat duhet të përcaktojnë qartë hapat që do të ndiqen. Në to do të jenë kushtet dhe mënyra e tregtimit të titujve dhe instrumenteve të tjera financiare në bursën e titujve; llojet e transaksioneve që do të ekzekutohen në bursën e titujve; radha e tregtimit të titujve dhe instrumenteve të tjera financiare në bursën e titujve; metoda e përcaktimit dhe publikimit të çmimeve; ditët dhe orët e tregtimit; procedurat për anulimin e transaksioneve; organizimi i sistemit të informacionit; tarifat fikse vjetore për përdorimin e faciliteteve të bursës së titujve, tarifat e tregtimit dhe metodat e llogaritjes së këtyre tarifave, etj. Gjithashtu do të jenë të vendosura masat që synojnë parandalimin dhe zbulimin e ndonjë manipulimi të tregut si dhe kushtet sipas të cilave bursa e titujve mund të pezullojë përkohësisht ose ndalojë në mënyrë të përhershme tregtimin, me qëllim shmangien e veprimeve manipulative të paligjshme ose për të mbrojtur interesat e investitorëve dhe të tregut.

Tregu i aksioneve në vend, tërësisht informal

Edhe pse në Shqipëri bursa nuk funksionon në mënyrë zyrtare, biznesi i shet aksionet në tregun e zi. Ekspertët në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare pohojnë se tregu i kapitaleve (bursa) mbetet ende pjesa më e pazhvilluar e tregut të letrave me vlerë në Shqipëri. Rritja e kërkesës për investime nga sektori privat dhe shtetëror kërkon fillimin e menjëhershëm në procesin e zhvillimit të tregut të kapitaleve, - njoftojnë të njëjtët ekspertë. Në këtë kontekst, sipas tyre, qeveria mund të luajë një rol të rëndësishëm në drejtim të nxitjes së zhvillimit të këtij sektori kryesisht nëpërmjet privatizimit të një pakete aksionesh të kompanive strategjike shtetërore në tregun e kapitaleve ose nëpërmjet ofrimit të iniciativave të ndryshme fiskale e ligjore për të nxitur biznesin vendas të shfrytëzojë këtë treg dhe listimin në bursë si një mjet financimi. Ashtu si në çdo sektor, vendet e rajonit janë shumë më përpara edhe në drejtim të tregut të aksioneve. Maqedonia fqinjë ka bursë dhe realizon një volum të konsiderueshëm shitjesh, me 60 kompani të listuara. Treg aktiv kapitalesh ka edhe Serbia dhe Mali dhe Zi. Në vendet më të zhvilluara bursat janë krijuar që në shekullin XVIII , ndërsa Shqipëria vazhdon të jetë një histori krejt tjetër, i vetmi vend në Europë pa një bursë aktive. Në fakt, bursa si institucion dhe e plotësuar nga ana ligjore ekziston, por nuk i ushtron funksionet e veta. Bursa e Tiranës (TSE) është e para bursë e krijuar në Shqipëri. Ajo është krijuar fillimisht si departament i BSH-së me qëllimin për ta shkëputur atë pas një periudhë tranzitore disavjeçare.

Ligji
I. Themelimi dhe funksionet e bursës së titujve

1. Bursa e titujve themelohet vetëm si një shoqëri aksionere

2. Shoqëria që vepron si bursë titujsh kryen vetëm aktivitete që lidhen me veprimtarinë si bursë titujsh, si dhe aktivitete të tjera që lidhen me organizimin e tregtimit të titujve dhe instrumenteve të tjera financiare.

3. Shoqëria që vepron si bursë titujsh mund të përfshihet edhe në aktivitete të lidhura me edukimin, promovimin dhe furnizimin me informacione në lidhje me veprimtaritë e tregut të kapitalit.

4. Tregtimi i titujve në bursë organizohet nëpërmjet përdorimit të sistemit elektronik, përmes të cilit kryhen të gjitha transaksionet.

5. Shoqëria që vepron si bursë titujsh duhet të ketë detyrimin dhe të drejtën ekskluzive të përfshijë fjalët “bursë titujsh” ose “bursë” në emrin e shoqërisë.

II. Aksionerët e bursës së titujve

1. Shoqëria që vepron si një bursë tjetër titujsh dhe Qeveria Shqiptare, në cilësinë e aksionerit të bursës, mund të zotërojnë ose mund të kenë të drejtën të ushtrojnë 100%

të të drejtave të votave të shoqërisë që vepron si bursë titujsh.

2. Një bursë titujsh e huaj që vepron në cilësinë e aksionerit të bursës së titujve duhet të përmbushë kriteret e mëposhtme, në mënyrë që të ketë të drejtën të ushtrojë më shumë se 20% të drejtave të votave në shoqërinë që vepron si bursë titujsh:

a. të jetë një shoqëri që vepron si bursë ose bursa titujsh në një ose më shumë vende të BE-së;

b. të jetë një shoqëri që vepron në një rrjet bursash të titujve, ku të paktën një nga bursat duhet të jetë e vendosur në një nga vendet e OECD-së;

c. të jetë një shoqëri që ka vepruar si bursë titujsh për të paktën pesë vjetët e fundit, ka të paktën 100 tituj të listuar dhe një volum tregtimi vjetor prej të paktën 2 miliardë euro;

3. Shoqëritë komisionere, bankat, shoqëritë e administrimit të portofoleve nuk mund të zotërojnë ose të kenë secila të drejtën e ushtrimit të më shumë se 10% të votave të shoqërisë që vepron si bursë titujsh.

III. Shkëmbimi mall me mall dhe në bursë

Rregullat e kleringut

1. Bursa e titujve miraton rregullat e kleringut, shkëmbimit mall me mall, që do të mund të lejojnë organizimin dhe operimin e një sistemi që garanton përmbushjen e duhur të detyrimeve që rrjedhin nga transaksionet. Rregullat e kleringut duhet të parashikojnë dhe përcaktojnë procedurat për:

a. shlyerjen dhe kleringun e transaksioneve në bursën e titujve;

b. operimin e një sistemi që siguron likuiditet dhe që përfshin një sistem të garantimit të shlyerjes së transaksioneve të ekzekutuara në bursë;

c. aktivitete që lidhen me funksionimin e sistemit të regjistrimit, kleringut dhe shlyerjes së transaksioneve me instrumente të tjera financiare që nuk janë tituj.

IV. Të dhënat, regjistrimet dhe sistemi informativ

1. Bursa e titujve duhet të ketë një sistem të përshtatshëm të kompjuterizuar, nëpërmjet të cilit informon rregullisht publikimin mbi:

a. emrin e emetuesit dhe llojet e titujve apo instrumenteve financiare të tregtuara në bursë;

b. çmimin e transaksionit të parë ose të hapjes, çmimin e transaksionit të fundit, çmimin më të lartë, çmimin më të ulët dhe çmimin mesatar të ponderuar me volumin e tregtimit për çdo titull apo instrument tjetër financiar të tregtuar;

c. vëllimin dhe vlerën e titujve apo instrumenteve të tjera financiare të tregtuara në treg;

d. të dhëna të tjera me rëndësi në veprimtarinë e bursës.

2. Bursa e titujve mbron sistemin elektronik dhe të dhënat e mbajtura kundrejt përdorimit të paautorizuar dhe ndryshimit apo humbjes së të dhënave.

3. Bursa e titujve ruan në një vend të sigurt në formën origjinale dokumente që janë përdorur për regjistrimin e të dhënave në sistemin elektronik për të paktën pesë

vjet.

4. Dokumentet origjinale në lidhje me aktivitetet e tregtimit duhet të regjistrohen dhe ruhen në formate elektronike.

5. Të dhënat e regjistruara dhe të ruajtura në formate elektronike duhet të ruhen në mënyrë të përhershme.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›