Sondazh i gazetës SOT: PS 44%, PD 42%, LSI 13%

Gazeta SOT ka kryer një sondazh në 26 qendra votimi në Tiranë, ku janë intervistuar 802 votues. Në bazë të votave të deklaruara nga këto votues ka rezultuar se Partia Socialiste e Shqipërisë është votuar nga 353 votues, ndërsa për Partinë Demokratike kanë votuar 337 votues. Sa i përket Partisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) kanë votuar 85 votues. Sipas Exit Poll të gazetës SOT deri më tani fitues është kampi i majtë me një diferencë të vogël nga ai i djathtë. Gazetarët e gazetës SOT kanë pyetur 802 votues në qendra të ndryshme votimi në kryeqytet.
Marrja në pyetje e votuesve ka qenë mjaft e vështirë pasi nuk pranonin të deklaronin votën, se për kë parti ata kishin votuar, pasi sipas tyre vota ishte e fshehtë. Disa nga votuesit i shmangeshin diktofonit të gazetarëve, kjo pas lajmit që ata kishin marrë se në qendra votimi ishin përdorur stilolaps me kamera të fshehtë. Gjithsesi me përpjekjen e gazetarëve është arritur të merren në pyetje rreth 802 votues në qendrat e votimit pranë Shkollës së Baletit, në qendrat e votimit te Liceu Artistik, në zonën e Qytetit Studenti, në komunën e Farkës, te Petro Nini Luarasi, Vasil Shanto, Ismail Qemali, si edhe pranë Fakultetit të Mjekësisë. Të gjithë këta votues kanë pranuar të deklarojnë hapur për gazetarët se për kë parti kishin votuar. Sipas burimeve, vota e parë pranë këtyre zonave është shënuar në orën 07.05 të mëngjesit të ditës së djeshme dhe pikërisht në shkollën e Baletit. Më pas procesi ka filluar normalisht. Disa nga votuesit pranuan të deklaronin të hapur votën e tyre pasi ishin të bindur për partinë që ata po votonin. Pavarësisht personave që deklaruan hapur votën e tyre, kishte nga ata persona, të cilët nuk pranuan të deklaronin se për kë parti kishin votuar në zgjedhjet elektorale të 2009. Kemi votuar për atë parti që ne mendojmë se do të sjellë diçka më të mirë në të ardhmen tonë, janë shprehur një pjesë e tyre. Ndryshe nga vitet e tjera, dje vihej re që personat që votonin më shumë ishin të moshuar, por kishte dhe nga ata persona të cilat merrnin përgëzimet e para për votimin e tyre për herë të parë. Moshat që kanë votuar më shumë ishin nga 40-50 vjeçarë, por pa lënë mënjanë edhe të rinjtë. Gjithashtu, ndryshe nga vitet e tjera, në zgjedhjet e këtij viti ka pasur shumë emigrantë shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar me kilometra rrugë për të dhënë votën e tyre, që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme dhe më pas janë larguar për në vendin fqinj, Greqi. Numri i emigrantëve të cilët kanë votuar për këtë vit ka qenë mjaft i lartë. Por, jo vetëm emigrantët, në përgjithësi pjesëmarrja e votuesve ka qenë mjaft i lartë. Në krahasim me vitet e tjera, gjatë ditës së votimit, këtë vit është vënë re një klimë e qetë që kanë ndjekur nga ana e tyre faktorët politikë, pavarësisht incidenteve të vogla të ndodhura gjatë ditës, të cilat nuk mund të përllogariten. Pjesëmarrja e shumtë e personave në votime, sipas klasës politike ka ndërgjegjësuar qytetarinë shqiptare për vlerën e votës së tij.
Last Updated on Sunday, 28 June 2009 23:08
Last Updated on Sunday, 28 June 2009 23:08