E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngecin punimet në Urën e Bunës, dyshohet për shkak të fondit

Mungon transparenca në projektin më madh në Shkodër
Nga fillimi i vitit 2008 u hodhën më në fund lopatat e para të fillimit të ndërtimit të investimit më të madh dhe të rëndësishëm në qytetin e Shkodrës. Por jo vetëm për qytetin më të madh në veri, Ura e Bunës është një nga investimet më kolosale për lidhjen e Shqipërisë me korridorin veri-jug dhe bën të mundur kalimin në Europë, me anën e rrugës automobilistike nëpërmjet Malit të Zi. Në inagurimin e punimeve ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili për herë të parë ka përmendur punën me tre turne dhe pa pushim për përfundimin e kësaj vepre madhore për të gjithë vendin. Historia e urës së Bunës është e gjatë dhe ka filluar që të hidhet si ide dhe investim prej kohësh, por ajo u konkretizua me fjalët e qeverisë së mëparshme me një fond prej 5 milion eurosh. Në fakt donatori u gjet dhe ai ka bërë punën e tij, por projekti pësoi ndryshime sepse ura u kërkua të hapej nga ana e Taraboshit. Edhe hapja e urës u realizua në projekt dhe fondi i saj u rrit dhe në tabelën përkatëse, që  tashmë shifra e saj ka arritur në 7 milion e 185.675 USD. Megjithatë nuk u morën shumë parasysh mendimet e hidroteknikëve shkodranë, një prej të cilëve është edhe Karlo Kamsi, që kjo urë të ndërtohej diku më afër urës së vjetër dhe të konstruktohej për të bërë të mundur edhe kontrollin mbi liqenin dhe debitin e ujit në Drin dhe Bunë. Gjithsesi fillimet e punimeve kanë qenë me vrull vetëm 10 ditët e para, kurse tani ritmi jo vetëm që nuk ekziston, por është shumë i ngadaltë. Janë ngulur vetëm disa tuba dhe janë ndërtuar bazamentet e dy këmbëve dhe asgjë më tepër.
Afatet e mbarimit
Përfundimi i kësaj vepre gjigande prej 275 metrash dhe me korsi, ndriçim dhe trotuare duhet të jetë muaji maj i vitit 2010. Por nga të gjithë specialistët thuhet se është shumë vonë. Unaza e Shkodrës në të vërtetë ka një arsye objektive, e cila ka dy vite që ka dalë nga afatet dhe dihet se shpronësimet dhe mendimi aspak në linjë të tyre e ka lënë pas, por askush nuk të sqaron në Shkodër, pse ka ngecur ura e madhe e  Bunës. As firma dhe as pushtetarët vendorë nuk të sqarojnë edhe për shkakun që nuk janë kurrë, dhe sepse vendorët nuk dinë ndonjë detaj madhor që të mund të të shpjegojnë. Patjetër që ata janë të interesuar, por nuk kanë asnjë kompetencë. Kurse fjalët që ndeshen aty këtu, bëjnë të ditur se projekti kalon shifrat e përcaktuara në tabelë dhe për më tepër me shifra të mëdha. Kjo e shpjegon dhe vonesën dhe mungesën e ecurisë në vetë projektin dhe investimin që thuhet se kërkon 10 milion dollarë për të përfunduar. Gjithsesi mosecuria e investimit në urën e Bunës po vonon një nga pikat nevralgjike jo vetëm të Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë dhe askush si në ministrinë e linjës dhe qeveri, nuk vjen më të shikojë se si po shkojnë punimet në këtë vepër të madhe të artit të ndërtimit. Në fakt në Shqkodër kanë ardhur kryeministri dhe disa prej ministrave të tij, por asnjëherë nuk është kthyer koka për të parë se në këtë urë nuk punohet me rimte, dhe sepse nganjëherë nuk punohet fare. Kurse në anën tjetër, i gjithë trafiku i kalimit të turistëve, të makinave dhe transportit jo doganor bëhet nga ura e vjetër e Bunës edhe pse nuk është më origjinalja, ngaqë ajo u përmbys nga një betoniere. Pra në Shkodër, vazhdon qarkullimi prej qindra dhe disa herë mijëra makinash në ditë, në urën ushtarake të Bunës dhuruar nga italianët dhe kalimi është vetëm për njërin krah dhe me shumë radhë, sepse ajo është e ngushtë vetëm sa për një makinë.

Email This Klikime: 5

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›