Sondazhet, realiteti dhe Sharlota
Grid Rroji
Sondazhet në vendet e zhvilluara nuk janë të kufizuar vetëm në botën e politikës apo matjes së mbështetjes së partive politike. Në të vërtetë, sondazhet janë shndërruar tashmë për shumë biznese në mjet të pazëvendësueshëm për të testuar prodhimet e tyre, ndjenjat e publikut ndaj fenomeneve shoqërore apo edhe efektet e reklamave mbi grupmosha të ndryshme. Siç është nënvizuar nga shumë analistë politikë, hyrja e sondazheve politike në Shqipëri është një risi e mirëpritur. Pavarësisht nga dëshira e mirë, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm që kjo praktikë është në hapat e saj të para në Shqipëri dhe, për rrjedhojë, i duhet kohë të perfeksionojë mekanizmat e brendshëm.
Sondazhet elektorale nuk janë gjë tjetër veçse një fotografi e momentit kur ato bëhen dhe nuk japin domosdoshmërisht rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ato edhe pse kanë ekzistuar në SHBA qysh nga zgjedhjet e vitit 1946, kur Gallup parashikoi gabimisht se Dewey fitoi zgjedhjet presidenciale, kanë arritur në nivele shumë më të larta sofistikimi duke filluar nga vitet ‘80. Dy nga elementët më të rëndësishëm të një sondazhi paraelektoral janë koha kur ai kryhet dhe përafërsia e kampionit me realitetin zgjedhor. Pra, një sondazh politik i zhvilluar gjashtë muaj para zgjedhjeve ka më pak gjasa t’i afrohet rezultatit final të tyre se sa një sondazh i kryer dy javë para tyre. Gjithashtu një sondazh i kryer vetëm në Tiranë dhe Durrës, ka më pak gjasa të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve se sa një sondazh i zhvilluar në gjithë Shqipërinë.
Nga ana statistikore, janë zhvilluar tashmë disa modele, të cilat konsiderohen të gjithëpranuara. Me gjithë shkallën e lartë të sofistikimit matematikor, asnjëri prej tyre nuk është i pagabueshëm, siç e tregojnë qartë edhe dështimet e organizatave më të mëdha në SHBA në disa zgjedhje të fundit.
Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2004, John Zogby parashikonte një ditë para zgjedhjeve një fitore të senatorit Kerry në zgjedhjet presidenciale, duke kalkuluar si të mirëqena regjistrimet e shumta që fushata e tij kish bërë në shtete të rëndësishme si Florida dhe Ohio (Ohajo). Në realitet strategu republikan Karl Rove kishte regjistruar shumë më tepër besimtarë konservatorë kristianë me anë të rrjeteve të kishave protestante nëpër periferitë e urbanizuara(exurbs) të qyteteve të mëdha në këto dy shtete. Dhe rezultati përfundimtar nxori fitues Presidentin Bush me tri pikë diferencë. Për të evituar një fiasko të ngjashme, kompania Gallup USA përdori dy modele në zgjedhjet e vitit 2008 dhe i publikoi ato si të barasvlershme, njëri me metodën tradicionale dhe tjetri duke marrë parasysh të regjistruarit e rinj sipas modelit Obama.
Po si përkthehen këto në skenën e sondazhbërjes në Shqipëri? Disa javë më parë u publikuan në shtyp sondazhe nga dy kompani, “Zogby” dhe “Gani Bobi”. Me gjithë rezultatet krejt të ndryshme të tyre, statisticienët bien dakord se metodologjia e përdorur nga të dyja palët është e vlefshme.
Në sondazhin e Gani Bobit ka një përvijim të qartë politik të qytetarëve dhe një përqindje relativisht të ulët të të pavendosurve. Duke qenë se skena politike shqiptare është tradicionalisht e polarizuar dhe me vija të qarta ndarëse midis të majtës dhe të djathtës, afërmendsh që numri i të pavendosurve nuk mund të jetë i madh. Ndërkohë Gani Bobi ka kryer edhe në 2005-ën sondazhe politike dhe rezultatet e nxjerra kanë qenë shumë afër realitetit.
Ndërsa në sondazhin e “Zogby”-t ka një numër të konsiderueshëm të pavendosurish, gjë e cila duket nënvizon faktin që jemi disa muaj para zgjedhjeve. Në SHBA, zgjedhësit përqendrohen në fushatë vetëm në muajin e fundit të saj dhe në muajt paraardhës ka tradicionalisht shumë të pavendosur. Pra, “Zogby” ka transferuar modelin e përdorur në SHBA, duke marrë si të mirëqenë ekzistencën e shumë të pavendosurve. “Zogby” gjithashtu nuk ka eksperiencë të mëparshme në sondazhbërje në Shqipëri dhe ka detyrimisht deficit njohjeje për sa i përket skenës politike lokale. Kjo shpjegon arsyen pse rezultati i dalë nga sondazhi i kësaj kompanie është në rastin më të mirë jo konkluziv përsa i përket fituesve. Sipas sondazhit të “Zogby”-t, në këtë moment 19% të zgjedhësve shqiptarë nuk kanë opinion të qartë mbi partitë politike në Shqipëri!
Për çdo vëzhgues të paanshëm është jorealiste që një e pesta e atyre që do votojnë më 28 qershor të mos kenë një ide se cila forcë politike i përfaqëson më mirë aktualisht interesat e tyre. Është e qartë që pyetësori i “Zogby”-t lejon një pjesë të madhe të intervistuarish të mos e shprehin preferencën e tyre. Kjo sigurisht që e ul marzhin e gabimit statistikor (në rastin e “Zogby”-t 3.2%), duke rritur numrin e të intervistuarve që përgjigjen, por garanton se rezultati është larg realitetit të tanishëm zgjedhor, sepse injoron veçantitë e realitetit shqiptar, gjë që nuk reflektohet tek sondazhet e Gani Bobit, të provuara në zgjedhjet e 2005-ës. Për rrjedhojë, sondazhi i Gani Bobit ka shumë gjasa të jetë më afër realitetit zgjedhor shqiptar, sepse i është përshtatur profilit të elektoratit.
Në kushtet e realitetit shqiptar, është mirë që shoqërisë të mos i jepen për konsum sondazhe të porositura të tipit “përtej së majtës dhe të djathtës”, pasi, diskreditohen padrejtësisht ata që kontribuojnë në fillimet e kësaj përpjekjeje. Përdorimi i këtyre sondazheve që ngjasojnë me parashikimet e Sharlotës tek Çani, me gjithë sharmin e padiskutueshëm të saj, ka pasojë të paevitueshme, humbjen e besimit të publikut tek sondazhet. Dhe kjo nuk i shërben shoqërisë tonë.