E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse nuk mund të mbrohet as Çashku, as Çili

Mark Marku 

Henri Çili, miku im, i cili kohët e fundit i fillon shkrimet duke rënë dakord me njërën palë dhe i mbyll ato duke rënë dakord me palën tjetër (dhe nëse ka më shumë aktorë të cilëve u drejtohet, bën kujdes që në rrjedhën e shkrimit të bjerë dakord me të gjithë aktorët), ka polemizuar dje me një shkrim timin “Pse nuk mund të mbrohet Marubi”, botuar në faqet e “Panorama”. Çili në shkrimin e tij, i merakosur në mënyrë legjitime për biznesin e arsimit të lartë si pronar i njërit prej bizneseve të kësaj fushe (UET-së), pasi më jep të drejtë, solidarizohet në mënyrë të spërdredhur me Çashkun duke hedhur njëherësh edhe disa teza me interes për t’u debatuar lidhur me politikat arsimore dhe kryesisht për mënyrën se si duhen përdorur fondet publike në arsimin e lartë.
Teza kryesore e Çilit është pak a shumë kjo: shteti duhet t’i përdorë fondet duke mbështetur në mënyrë të barabartë si universitetet publike ashtu edhe universitetet private dhe këtë e justifikon me faktin që, sipas tij, edhe universitetet private kryejnë shërbime publike. Pa ose me dashje, zoti Çili ngatërron që në fillim konceptin e publikes me privaten. Në gjithë botën, koncepti i shërbimit publik nënkupton faktin që disa shërbime jetike i ofrohen publikut nën koston reale të tyre. Shteti e kompenson pjesën tjetër të kostos duke i mbështetur institucionet publike me fondet e mbledhura nga taksat. Kështu, në një farë mënyre, ai u garanton kushtet minimale jetike të gjitha shtresave shoqërore. Për ta ilustruar shpjegimin e mësipërm le të marrim një shembull: në universitetet publike, sipas të dhënave të Universitetit të Tiranës (më saktë sipas llogarive të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë), kostoja e një studenti është 80 mijë lekë (të reja) në vit. Studentët shqiptarë paguajnë rreth 20 mijë lekë (të reja) ndërkohë që pjesa tjetër përballohet nga shteti. Kjo siguron një arsim demokratik, edhe pse shpeshherë jo me standarde të larta. Në universitetet private ndryshon puna. Aty paguhet një shumë që shkon nga dy deri në tre mijë euro në vit, gjë që mbulon jo vetëm koston e studimit, por edhe që u lejon këtyre universiteteve të nxjerrin pjesën e tyre legjitime të fitimeve. Pra, nëse në universitetin publik është shteti ai që garanton ekzistencën e tij, në universitetin privat është tregu ai që ia garanton ekzistencën.
Çili propozon një reformë për shpërndarjen e parave shtetërore në sistemin e arsimit, por “harron” të propozojë edhe një reformë për mënyrën e vënies së tarifave dhe administrimit të tyre. Nëse sistemi privat duhet të favorizohet njësoj si ai publik nga fondet e shtetit, atëherë duhet që ai ose të ulë tarifat, ose, në të kundërt t’u lejohet universiteteve publike që të ngrenë tarifat e pranimit në të njëjtin nivel me atë privat për të qenë të barabartë në konkurrencën me të. Në rastin e parë do të shkonim drejt shtetëzimit të sektorit privat dhe në rastin e dytë do të shkonim drejt privatizimit të sektorit publik e në të dyja rastet do të shkonim drejt zhdukjes së dallimeve mes tyre. Edhe pse unë personalisht do të isha me variantin e fundit, mendoj se një gjë e tillë është e paarritshme. Pse?
Së pari, sepse ne jemi një vend që synojmë integrimin në Europë dhe si hap të parë të integrimit arsimor ne kemi nënshkruar konventën e Bolonjës, kështu që e ardhmja jonë arsimore, na pëlqen ose nuk na pëlqen, është përshtatja me këtë sistem. Në vendet europiane, me përjashtim të Britanisë së Madhe, koncepti i privatizimit të sistemit të arsimit publik është i papranueshëm. Në Francë, arsimi i lartë privat është thuajse inekzistent, në Gjermani gjithashtu, në Itali i dobët krahasuar me sistemin publik dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Greqinë fqinje.
Së dyti, kjo është e pamundur sepse, privatizimi i sistemit të arsimit të lartë publik, ose shtetëzimi i sistemit të arsimit të lartë privat do të thoshte që të njëjtën gjë ta shtrish në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit, që nga ai parashkollor e deri tek studimet doktorale. Madje, edhe në shërbimet e tjera publike si shëndetësia apo ndonjë fushë tjetër. Deri tani nuk është paraqitur ndonjë qeveri apo ndonjë parti politike që ta përfshijë një gjë të tillë në programin e saj. Ndonjë tentativë siç ndodhi gjatë mandatit katërvjeçar për ta bërë atë de facto të kryer dështoi sa për shkak të reagimeve në disa nivele të vendimmarrjes, aq edhe për shkak të pasojave të paimagjinueshme që mund të kishte realizimi i një gjëje të tillë në publik. Ky ndryshim nuk mund të bëhet duke blerë me paratë e universiteteve private ndonjë ministër të korruptuar, siç ka pasur tentativa gjatë këtyre viteve, por duhet të futet në programin elektoral të ndonjë partie të guximshme, t’i paraqitet votuesve dhe nëse një program i tillë votohet le të realizohet.
Aktualisht, qeveria e sotme dhe ajo e mëparshmja ka pranuar liberalizimin e arsimit të lartë, duke lejuar bashkëjetesën e sistemit publik me atë privat, të njëjtën gjë që ka bërë me tregjet e tjera që në fillim të viteve ‘90. Universitetet private, kur kanë depozituar kërkesën për licencim, kanë deklaruar se i kanë burimet e domosdoshme financiare dhe njerëzore për të mbajtur mbi shpatullat e tyre një aktivitet të tillë dhe nuk kanë pretenduar të kenë mbështetjen financiare të shtetit. Nëse disa prej tyre gjenden në vështirësi, atëherë duhet të shpallin, së pari, falimentimin e më pas shteti duhet të ndërhyjë për të marrë përsipër studentët, të cilët janë kategoria që nuk duhet të dëmtohen në këso rastesh, pasi ata nuk kanë asnjë përgjegjësi. Gjëja e vetme që mund të bëjë shteti në këtë situatë në favor të universiteteve private është ulja e tatimeve mbi fitimet, pasi edhe pse arsimi privat është një biznes, ai për nga natyra e sistemit ku vepron është biznes i veçantë. Kjo nuk do të thotë se duhet ngatërruar me institucionet publike për faktin se i shërben publikut, siç thotë Çili, pasi publikut i shërbejnë edhe furrat e bukës, edhe taksitë, edhe fabrikat, edhe firmat e ndërtimit, edhe shitësit e qofteve, shkurt të gjitha bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha.
Sa për solidaritetin me Çashkun, dua t’i kujtoj mikut tim Çili se është krejtësisht kontradiktor për tre arsye. Së pari, sepse inkurajon shkeljen e ligjit, domethënë mospagimin e qirasë nga ana e zotit Çashku dhe zaptimin e territoreve që ai nuk i ka në pronësi. Çili vetë nuk e bën një gjë të tillë pasi, me sa di unë, UET paguan rreth 24 mijë euro në muaj qira për një godinë të cilën e ka rikonstruktuar për t’ua vënë në dispozicion studentëve, duke krijuar kushte ideale për mësimdhënie, gjë që e kam konstatuar vetë si mësimdhënës i jashtëm tek UET-ja. Së dyti, sepse konceptimi i shkrimit në mënyrë të tillë që t’u japë të drejtë njëherësh të dy palëve (mua dhe Çashkut) me pikëpamje diametralisht të kundërta e çon detyrimisht në një kontradiktë logjike ideore, pasi tezën e përgjithshme e ka tërësisht liberale, kurse të dytën atë që mbron shkollëzën intime të Çashkut tërësisht etatiste. Së treti, sepse ai në të njëjtën gjatësi vale me miqtë e tij zemërdhembshur, mendon se arti shqiptar ka nevojë për riprodhimin e artit dhe artistit të realizmit të socialist në kohët moderne. Këtu ndahemi tërësisht, pasi unë mendoj se Kujtim Çashku, regjisori i filmit më të pështirë të kohës së komunizmit Dora e ngrohtë, film që glorifikon sigurimin e shtetit dhe autor i disa filmave të tjerë mediokër e propagandistikë, përfshi këtu edhe filmin e xhiruar në kushte të plota lirie krijuese në kohën e demokracisë Gjeneral Bunkeri, nuk mund të jetë formuesi i talenteve të reja në fushën e kinemasë në Shqipëri. “Marubi”, në këtë këndvështrim nuk ofron asgjë të re krahasuar me Akademinë Publike të Arteve, përkundrazi. E vetmja gjë e re që u ofron Çashku studentëve është shuma prej disa mijëra eurosh që u merr në vit, ndërkohë që  Akademia Publike e Arteve u merr më pak se 200 euro.
Si mik, do t’i kujtoj zotit Çili se në Shqipëri, një kategori njerëzish, që ka shtënë në dorë mediat, partitë, bizneset, institucionet arsimore publike dhe private, shoqërinë civile, për shkak të interesave vetjake, familjaritetit apo edhe konformizmit, po institucionalizojnë në jetën publike një standard prostitucioni publik të pashembullt. Të gjithë bashkë, pavarësisht dasive, përbëjnë një lukuni, pre e përbashkët e të cilave janë parimet, idetë, pasuria publike dhe sidomos publiku i çorientuar. Ata janë gati që të bardhën ta bëjnë të zezë (dhe këtu e ka dhënë ndonjë shenjë edhe Çili teksa e bën Barakun, Erion dhe Erionin, Barak), të ligjshmen të paligjshme, të moralshmen të pamoralshme, dhe anasjelltas. Uroj që zotin Çili të mos e gllabërojë kjo lukuni dhe në shenjë respekti për të po e mbyll shkrimin në stilin e tij: faleminderit Çili, faleminderit Çashku, faleminderit të gjithëve, faleminderit, faleminderit, faleminderit...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›