E Diel, 1 Nëntor 2026

Sondazhi: Opozita, më pak e besueshme se qeveria në luftën kundër korrupsionit

 

adi shkembi

Qeveria është më e besueshme se opozita për sa i përket grupeve që kanë kontribuar më shumë në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë institucioni i Presidentit edhe këtë vit renditet më lart se të gjithë aktorët e tjerë politikë në këtë drejtim. Në ditën antikorrupsion, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve ka publikuar vëzhgimin vjetor mbi korrupsionin në Shqipëri për vitin 2008. Në këtë vëzhgim kanë marrë pjesë 1300 qytetarë nga pesë qytete të vendit. “Sondazhi i kryer nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve dhe i bërë publik në Ditën botërore Antikorrupsion, adreson shqetësimet kryesore të qytetarëve në lidhje me korrupsionin, institucionet që kanë kontribuar më shumë apo më pak, pengesat për të arritur më shumë betejën antikorrupsion dhe mënyrat për të rritur efektivitetin e kësaj beteje”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Korrupsioni
Qeveria në vitin 2008 rezulton të jetë në sytë e shqiptarëve më e besueshme në kontributin e dhënë në luftën ndaj korrupsionit në krahasim me opozitën. Kështu për qeverinë besojnë 435 qytetarë të pyetur, ndërsa për opozitën 430 qytetarë. Nga institucionet shtetërore më lart renditet institucioni i presidentit me 485 vota. Në vendin e parë të kësaj renditje janë mediat me 679 votues dhe shoqëria civile me 621. Në fund të saj janë doganat dhe tatimet me 130 vota, agjencia e pronave me 110 dhe përmbarimi me 80 vota. Sipas këtij vëzhgimi, “shqiptarët janë të paqartë mbi rolin e opozitës dhe qeverisë në luftën kundër korrupsionit”. Të pyetur se çfarë pengon më tepër arritjet në luftën kundër korrupsionit, 36 për qind e qytetarëve mendojnë se është pikërisht moszbatimi i drejtë i ligjit. Gjithashtu gati 18 për qind e qytetarëve shprehen për mungesën e vullnetit politik në këto arritje, duke e renditur edhe si pengesën e dytë kryesore. “Nevoja për një legjislacion të ri nuk shikohet më nga shqiptarët si domosdoshmëri pas 18 vitesh demokraci. Më shumë se nevoja për ligje të reja, qytetarët kërkojnë zbatimin e ligjeve ekzistuese”, thuhet në vlerësimet e ZMQ-së. Sipas vëzhgimit, 11 për qind e qytetarëve mendojnë se luftën kundër korrupsionit e pengon mungesa e një reagimi më të fortë civil e qytetar dhe 7 për qind e tyre e vënë gishtin te mosekzekutimi i vendime gjyqësore.
Shqetësimet e qytetarëve
Shumica dërrmuese e qytetarëve mendojnë se problemi më i madh për vitin 2008 ka qenë papunësia. Kështu 850 qytetarë kanë vënë kryqin pikërisht te ky problem si më shqetësuesi për këtë vit. Në vendin e dytë me 740 vota është korrupsioni dhe me 490 vota është sistemi i shëndetësisë. Sipas ZMQ-së, “papunësia, korrupsioni, moszgjidhja e çështjes së pronave dhe shërbimi i dobët shëndetësor mbeten problemet madhore në perceptimin e qytetarëve shqiptarë. Korrupsioni vazhdon të mbetet plagë e hapur në sytë e të gjithëve. Është evidente që qytetarët pasivisht konsiderojnë moszgjidhjen e çështjes së papunësisë dhe premtimet për vende të reja pune kanë mbetur një program i dështuar i qeverisë”. Në vëzhgimin e Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarëve ka një shqetësim të rritur edhe për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Kështu 290 qytetarë nga 1300 kanë vendosur këtë problem ndër tre kryesoret në përzgjedhjet e tyre. Më pas renditen trafikimet me 250 vota, mungesa në infrastrukturë me 240 vota dhe mungesa e energjisë elektrike renditet e fundit me 190 vota të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›