Sondazhi, PDK partia e parë në zgjedhje
Pesë ditë para zgjedhjeve të 12 dhjetorit publikohet sondazhi i parë në Kosovë, i cili i jep fitoren Partisë Demokratike të Kosovës së drejtuar nga Hashim Thaçi, por sipas sondazhit, PDK nuk do të mund ta drejtojë qeverinë e vetme. Lidhja Demokratike e Kosovës renditet forca e dytë politike, ndërsa e treta del lëvizja “Vetëvendosje” e Albin Kurtit. Sipas këtij sondazhi, të bërë publik nga Klubi për Politikë të Jashtme, lideri më i preferuar nuk është më Kryeministri Hashim Thaçi, por kreu i ri i LDK-së, Isa Mustafa, ndërsa lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, radhitet i treti. Në hulumtimin që theksohet të jetë kryer me 1050 të anketuar shqiptarë dhe me shtrirje në të gjitha komunat të banuara me shqiptarë, në periudhën 1-4 dhjetor 2010, PDK-ja del e para me 30 për qind të votave, LDK-ja e dyta me 28%, “Vetëvendosja” e treta me 16%, AAK-ja e katërta me 12%, AKR-ja e pesta me 7% dhe Partia Fryma e Re e gjashta me 6%. Sipas sondazhit, i cili ka kufirin e gabimit prej plus-minus 3%, Lidhja Demokratike e Dardanisë është e fundit me vetëm 1 për qind dhe nuk do ta kalojë pragun zgjedhor. Hulumtimi më tej thekson se dalja e votuesve do të shënojë ngritje në 70 për qind, ndërsa për shumicën e të pyeturve, një koalicion i ri mes dy partive më të mëdha, PDK - LDK, është i papranueshëm. Sondazhi, i cili është kryer nga Komiteti për Politikë të Jashtme, regjistron se shumica e anketuesve mendojnë se LDK-ja dhe AAK-ja do të shënojnë ngritje në numrin e votuesve, AKR-ja do të mbetet përafërsisht aty ku ka qenë më parë, ndërsa PDK-ja dhe LDD-ja do të shënojnë rënie të numrit të votuesve. Sa u përket partive të reja në garë, shumica e të pyeturve mendojnë se lëvizja “Vetëvendosje” do të jetë parti shumë e rëndësishme në Parlament, ndërsa FER-i do të jetë parti me sukses mesatar. Sa i përket vetë procesit zgjedhor, pjesëmarrësit në sondazhin e organizuar nga Klubi për Politikë të Jashtme janë të ndarë nëse zgjedhjet do të jenë korrekte, ndërsa pyetjes se cili është shkaktari kryesor për krizën politike dhe institucionale me të cilën ballafaqohet Kosova, 29% e të anketuarve i përgjigjen se faji është te tërheqja e LDK-së nga koalicioni qeverisës, ndërsa 28% thonë se faji është te mosinteresimi i PDK-së për të gjetur zgjidhje të tjera.
MediatKomisioni i Pavarur për Media (KPM) prezantoi dje raportin paraprak të monitorimit të mediave elektronike në mbulimin e fushatës parazgjedhore. Sipas këtij raporti preliminar të periudhës së monitorimit prej datës 1 deri më 5 dhjetor 2010, vërehet se mediat kanë vepruar në pajtueshmëri me Kreun VIII të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Rezultatet e përgjithshme nga ky monitorim tregojnë se mbulimi i garës elektorale në këtë periudhë ishte kryesisht neutral, pa emocione dhe i përmbajtur nga komente dhe qëndrime politike. Monitorimi përfshiu 18 televizione, 3 prej tyre nacionale, 13 lokale dhe 2 ofrues të shërbimeve programore. Raporti Final i Mbulimit të Zgjedhjeve nga ana e mediave në Republikën e Kosovës do të publikohet pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010.