E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi problematik, shtohen në masë sëmundjet infektive

15/04/2010 Këtë vit pati më shumë raste të meningjitit, zgjebes, TBC-së. Shkak dhe ujërat e zeza

DURRES- Rritja e kërkesave për higjienë si dhe masat parandaluese të përhapjes së virusit infektiv nuk ka mundur të ulë rastet e të prekurve nga disa sëmundje të tilla. Gripi, Hepatiti A, Hepatiti B, Scabies, njohur ndryshe si zgjebe, TBC dhe meningjiti kanë shënuar rritje në numrin e të prekurve krahasuar me një vit më parë.

Sëmundjet infektive

Drejtoria e Shëndetit Publik në qarkun e Durrësit ka bërë të ditur se këto sëmundje infektive janë ndjekur e kuruar me prioritet nga ana e mjekëve infeksionistë. Megjithatë, kjo përpjekje nuk ka mundur të ndikojë në uljen e rasteve dhe në shmangien e infeksioneve, të cilat kanë qenë të dukshme në mjedise publike. Kjo drejtori ka gjithsej 18 qendra shëndetësore në të cilat ushtrojnë shërbim mjekësor 140 mjekë dhe 350 ndihmës mjekë e ndihmësmjeke. Gjatë një informimi zyrtar të këtij shërbimi në institucionin përkatës mësohet se një sërë sëmundjesh infektive vijojnë të shqetësojnë shërbimin e shëndetit publik. Për shkaqe të ndryshme, duke përfshirë që nga kultura vetjake dhe familjare e higjienës deri tek infrastruktura në disiplinimin e ujërave të zeza, sëmundje të tillë vijojnë të shqetësojnë komunitetin. Mjekët e këtij shërbimi kanë bërë të ditur se Durrësi është shumë i ekspozuar ndaj disa sëmundjeve infektive. Dhjetëra e qindra banesa janë ndërtuar në anë të kanaleve të mëdha të ujërave të zeza në Plazh, Shkozet, Kënetë, Spitallë e Porto Romano. Drejtoria e Shëndetit Publik në qarkun e Durrësit kanë bërë të ditur se numrin më të madh të rasteve e shënojnë situatat gripale me 1374 të prekur nga 867 një vit më parë. Por mjekët ndihen të shqetësuar për disa sëmundje të tjera, të cilat kanë edhe ndikim në opinionin. Konkretisht shqetësim jo me pak ndikim ka sëmundja infektive e Scabies. Përgjithësisht sëmundja, e cila njihet ndryshe edhe si zgjebe në zhargonin e përditshëm, kurohet pa këshillë mjekësore për shkak të ndikimit në opinion. Vetëm 135 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor, ndërkohë që thuhet se numri i të prekurve nga zgjebja është disa herë më shumë sesa shifrat e bëra publike. Sëmundjet infektive i janë nënshtruar një hetimi epidemiologjik në Durrës nisur edhe nga mundësitë që ka drejtoria për të afruar bërjen e analizave laboratorike të infeksioneve. Sipas të dhënave që janë afruar mësohet se edhe numri i të prekurve nga meningjiti është shtuar. Numri i të prekurve nga meningjiti është shfaqur në 35 raste nga 24 raste një vit më parë. Mjekët kanë vendosur të ushtrojnë kontrolle në qendra të populluara, në ndërmarrje e në institucione arsimore e në kopshte për të dalë me një konkluzion pranë së vërtetës lidhur me shifrat dhe grafikun e shkallës së sëmundjeve infektive. Nga 18 qendra shëndetësore është kërkuar një pasqyrë e detajuar lidhur me të dhënat për pacientët të prekur nga sëmundje infektive në zonën që mbulon secila qendër. Mjekët kanë thënë se pas gripit, zgjebes dhe meningjitit jo pak shqetësim kanë manifestuar edhe sëmundje të tilla përhapëse si Hepatiti, Bruceloza e Fruthi. Verdhëza apo Hepatiti, ka kërkuar gjatë vitit të shkuar më shumë kujdes e trajtim mjekësor, pasi me Hepatit viral të paspecifikuar janë shënuar 35 raste, Hepatit viral A 65 raste dhe Hepatit viral B 7 raste. Në të gjitha rastet janë shënuar më shumë të prekur nga sëmundja infektive sesa vitin e shkuar. Drejtoria e shërbimit parësor ka mundur të kryejë disa dezinfektime të vatrave dhe një sërë kontrollesh në shkolla e kopshte. Çështje e diskutuar mbetet pajisje e të punësuarve në sektorin privat me kartelën e bërjes së vaksinës, ndërkohë që shumë vatra infeksioni nuk janë dezinfektuar për shkak të pamundësisë nga shërbimi përkatës. Infeksionet nga sëmundje të tilla janë më të shfaqura në zonat fshatra në komunat periferike. Manza, Ishmi, Gjepalaj etj janë komunat skajore, të cilat kanë numrin më të madh të rasteve të të prekurve nga sëmundje infektive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›