E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja çame, zyrtarizohet bashkëpunimi mes LSI-së dhe PDU-së

Meta: “Integrimi i vendit, zgjidhja e çështjes çame do të jetë baza e bashkëpunimit”. Idrizi: “Bashkëpunimi me numrin dy të qeverisë është shumë i rëndësishëm”

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, së bashku me kryetarin e Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, zyrtarizuan dje bashkëpunimin parlamentar për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, zgjidhjen e çështjeve kombëtare të pazgjidhura, me pikësynim kryesor çështjen çame dhe bashkëpunimin reciprok mbi problemet që kalon vendi. PDU-ja do të bashkëpunojë me të gjitha partitë që mbështesin integrimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, si edhe zgjidhjen e çështjes çame. Gjatë takimit u diskutua mbi integrimin e Shqipërisë në BE, çështjen çame dhe bashkëpunimin politik mes dy forcave, në shërbim të zhvillimit të vendit tonë dhe të interesave kombëtare.
Meta
Kryetari i LSI-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi se LSI-ja do të mbështesë zgjidhjen e çështjes çame, që e cilësoi si një çështje të të drejtave të njeriut dhe bëri apel që çamëve t'u njihen këto të drejta. Meta theksoi se integrimi i vendit, stabilizimi i institucioneve dhe zgjidhja e çështjes çame do të jetë baza e bashkëpunimit parlamentar dhe jashtëparlamentar ndërmjet LSI-së dhe PDU-së.
Edhe në cilësinë e ministrit të Jashtëm, Meta premtoi mbështetje në realizimin e programit politik të PDU-së përsa i përket politikës së jashtme të vendit. “Është kënaqësi për t’u takuar me kryetarin e forcës më të re politike në vend, z. Idrizi, një deputet i njohur i Parlamentit shqiptar dhe me gjithë përfaqësinë e forcës politike që ai përfaqëson”, - tha Meta, duke nënvizuar se “unë dua të shpreh edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit që ne u kushtojmë të gjitha forcave politike në vend, aq më tepër në Parlament, dhe të mos harrojmë se në Parlament ka shumë pak forca politike për shkak të Kodit Elektoral, të cilat kontribuojnë për stabilitetin e institucioneve, për përmirësimin e qeverisjes dhe për marrjen e përgjegjësive për të bërë të gjitha ato reforma, të cilat e afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Europian”.
Idrizi
"Dy forcat tona politike kanë si synim kryesor të tyre integrimin e Shqipërisë, sikurse çdo forcë politike e përgjegjshme në vend dhe, si pasojë, kjo është pika kryesore e axhendës sonë. Ne si forcë politike kemi mbështetur çdo nismë që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë në Europë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, - u shpreh kryetari i PDU-së. Ai nënvizoi se çështja çame, që është në epiqendër të programit të PDU-së, njëkohësisht është edhe në programin politik të LSI-së, si një çështje e drejtë e të drejtave të njeriut që duhet të zgjidhet sa më shpejt dhe që me zgjidhjen e saj u shërben më së miri edhe marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Idrizi theksoi se nuk ka dallime në bashkëpunimet e PDU-së me të gjitha partitë që do të mbështesin këto dy pika kyçe programore të PDU-së, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në të gjithë arenën politike për këto dy çështje. “Është kënaqësi për mua që të jem me numrin dy të qeverisë, për më shumë që është dhe ministër i Jashtëm, dhe është shumë e rëndësishme për forcën tonë që të kemi dialog sa më të hapur me përfaqësuesit zyrtarë të qeverisë, sepse ata janë përfaqësuesit e të gjitha forcave politike, janë përfaqësues të të gjithë shqiptarëve dhe ky mirëkuptim është shumë i vlerësuar nga ana jonë”, - nënvizoi Idrizi.

15 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›