Rasti Balliu-Delijorgji si test për lidershipin e PD
Reagimi i shumicës ndaj skandalit të partneritetit zyrtar Balliu-Delijorgji, një biznes vdekjeprurës për 26 qytetarë, duket se është ende nën kontrollin e liderit të saj, Sali Berisha. Edhe në kohë paqeje, edhe kur zoti Balliu i përkushtohej me aq sa dinte dhe si dinte Partisë Demokratike, ka pasur shumë pak njerëz që e kanë dashur në krye të PD. Tani që ai nuk është më për ta një aleat në media, por një problem në media dhe në imazhin e tyre, ka më pak zëra kundër tij se kurdoherë tjetër. Madje, në kontrast me çfarë shihet nga jashtë, figura nga ata që janë ofruar si kostume moderne te Berisha, tashmë janë avokatët e tij kryesorë.
Por, nëse i hedh një vështrim mënyrës se si figurat kryesore të PD u rreshtuan pro ose kundër dosjes Fazlliç dhe si po sillen pro apo kundër skandalit Balliu-Delijorgji, duket qartë se ka një ngërç. Çështja Fazlliç, megjithëse ishte një aferë shumë e rëndë për PD dhe pushtetin e saj, u mor përsipër publikisht nga lideri i tyre dhe kjo ishte një arsye e fortë që të gjithë të ishin me Fazlliçin. Por, pavarësisht kësaj, pati zëra shumë autoritarë që shprehën mospajtim me të. Më i natyrshmi në kundërshtinë ndaj Fazlliçit ishte Besnik Mustafaj, i cili dëshmoi publikisht se ai sharlatan i kishte kërkuar ndërhyrje diplomatike për vizë Schengen apo pasaportë shërbimi dhe ai nuk e kishte pritur as në zyrë. Të njëjtën deklaratë, madje shumë më të guximshme nga cilësia politike, e bëri dhe zonja Topalli. Ajo tha publikisht së paku se atë njeri s’e ka dashur kurrë dhe s’e ka pranuar kurrë në zyrë. Kaq është shumë për një lidere që është afër Berishës, i cili e shpalli mik shtëpie dhe e vuri mbi Kodin e Procedurës Penale, “Kodin e Familjes”, të cilin ai e interpreton si hoxhët e fshatit, sipas rastit që i duhet.
Në rastin Balliu-Delijorgji, edhe pse Berisha nuk i ka dalë zot çështjes Balliu, ka një stepje nga figurat kryesore të PD të mbajnë distancë prej tij. Dje dëgjova Ridvan Boden nga komuna e Çërravë, që vazhdonte të sulmonte Edi Ramën pse i ka dhënë leje Delijorgjit dhe nuk sulmonte Mediun, pse e ka lënë të punojë pa leje dhe të ushtrojë veprimtari kriminale dyshja Balliu-Delijorgji. Dhe kur këtë e bën Ridvan Bode, një drejtues i PD, i cili s’ka folur kurrë me gojë me Fahri Balliun, madje është sulmuar nga ky i fundit si bashkëpunëtor i Sigurimit i rekrutuar në Rrajcë në Librazhd, do të thotë që ky lidership ka humbur parimet dhe moralin publik, ka humbur individualitetin dhe sillet si një tufë njerëzish që i bashkon pjesëmarrja në korrupsion dhe përgjegjësia e përbashkët sesa parimet.
Është e papërfytyrueshme për shembull të dëgjosh Genc Rulin në tavolina gazetarësh se si mbron Balliun, edhe pse për të nuk ka asnjë konsideratë dhe shpjegimin e vetëm e gjen, se i kujtohet që dikush mund t’i kujtojë vjehrrin e tij që ka dhënë gjysmën e licencave për hidrocentralet e vegjël. Ka dhe një radhë të tërë figurash të tjera brenda PD, që në asnjë rrethanë nuk do të ishin pro këtij skandali, por që tani heshtin dhe krijojnë një avokati monotone pro historisë më gjakatare që ka prodhuar ndonjëherë korrupsioni politik ndaj qytetarëve në Shqipëri.
Diferenca mes mënyrës se si një pjesë e lidershipit u soll në rastin e Fazlliçit dhe mënyra se si po sillet në rastin e Balliut, tregon se PD po shkon drejt zgjedhjeve më e inkriminuar, më pa dinjitet dhe më pa parime se kurdoherë tjetër. Mënyra hipokrite se si ky lidership po reagon ndaj skandalit Balliu-Delijorgji, krijon irritim te njerëzit dhe sa herë ata përpiqen të quajnë Delijorgjin Djall dhe “mister 20 përqindshin” engjëll, aq herë shqiptarëve iu shfaqet para sysh kërpudha vdekjeprurëse e Gërdecit si bilanci më i hidhur i qeverisjes.