E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Këtë vit, dua t‘i dhuroj Realit tri trofe

Të tri trofetë. Kaka kërkon të fitojë gjithçka që në sezonin e parë me Realin e Madridit. Mesfushori brazilian kërkon që "merengues" të përsërisin suksesin e rivalëve të përjetshëm të Barcelonës, që gjatë sezonit të kaluar i fituan të gjithë titujt ku merrnin pjesë. Sezoni i ri është fare pranë fillimit dhe 27-vjeçari i ka synimet e qarta: t‘i dhurojë tifozëve në "Santiago Bernabeu" të gjithë kupat më të rëndësishme. "Dëshiroj të fitoj La Ligan (kampionatin), Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve. Skuadra duhet t‘i fitojë këto trofe, por duke zhvilluar lojë të bukur", deklaroi braziliani në një konferencë për shtyp të improvizuar. Fjalët janë thënë vetëm pak orë pas debutimit me skuadrën e re, për një grup fëmijësh amerikanë, në hotelin ku është akomoduar skuadra e Pelegrinit. Kaka flet për çdo temë, që prej lojtarit të preferuar: Ronaldo, të cilin e cilëson "një idhull"; deri te goli më i bukur që, sipas tij, ka shënuar në karrierë: "Personalisht më pëlqen goli që i shënova Mançester Junajtid në vitin 2007. Sa herë që e shoh në televizor, emocionohem duke rikujtuar atë mbrëmje". Në fund ai shtoi: "Kur isha i vogël, më kujtohet që mamaja më qortonte sepse luaja me top brenda në shtëpi dhe thyeja shumë gjëra".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›