E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: “Përfunduan projektet e tri akseve”

Autori i Lajmit: S.T

Kryeministri Sali Berisha, duke e cilësuar infrastrukturën rrugore si një nga prioritetet më të mëdha të qeverisë shqiptare, theksoi në mbledhjen e djeshme të Qeverisë se kanë përfunduar projektet e tri akseve më të mëdha rrugore. “Kam kënaqësinë tju informoj se po përfundojnë tri projektet e akseve të mëdha rrugore, të cilat do të bëjnë të mundur që qytetarët shqiptarë nga Saranda, Konispoli, Gjirokastra, Pogoni, Leskoviku, Korça, Peshkopia, Bulqiza, Elbasani, Tepelena, Memaliaj, Klosi, të vijnë në Tiranë për një kohë 50 deri në 70 për qind më të shkurtër: ka përfunduar tërësisht me dy tunelet e saj, me kahe vajtje-ardhje të ndara, autostrada Tiranë-Elbasan, e cila bën që kjo distancë të përshkohet në 20-25 minuta. Faktikisht, Elbasani vjen në distancën e rrugës Vorë-Tiranë dhe projekti është bërë nga një ndër kompanitë më serioze italiane; është në shqyrtimin e fundit projekti i Boshtit të Jugut, Memaliaj-Tepelenë”, - sqaroi dje Berisha. Sipas tij, projekti i Boshtit të Jugut, Berat-Tepelenë, me urat dhe tunelet e tij, është në finalizim të plotë brenda dy javëve nga një kompani e njohur kuvajtiane. Berisha shtoi se Qeveria e Kuvajtit i ka garantuar se do të kontribuojë në financimin e këtij projekti të kushtueshëm, por jashtëzakonisht të rëndësishëm. Duke theksuar se përparësi absolute e Qeverisë mbeten akset kryesore të rrugëve në vend, kryeministri Berisha theksoi në këtë kontekst, rëndësinë e jashtëzakonshme të tri akseve të mësipërme jo vetëm për zhvillimin e tregut dhe turizmit, por edhe si shndërrim në realitet i ëndrrave të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur lehtësisht dhe shkurtuar distancat. Kryeministri tha se janë përzgjedhur trajektoret më të shkurtra, si alternativa më e mirë dhe kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që, sapo Këshilli Teknik të përfundojë shqyrtimin e projekteve, të hapen tenderët për realizimin e tyre.

Ky lajm është publikuar: 18/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›