Sot, 96-vjetori i Pavarësisë së Tiranës
TIRANE-Nëntëdhjetegjashtë vite më parë, në 26 nëntor 1912, qytetarët e Tiranës kanë shpallur pavarësinë e qytetit. Me rastin e kësaj dite historike, Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës kanë organizuar një sërë aktivitetesh. Në paraditen e kësaj dite do të organizohet Krosi i Pavarësisë, ku pjesëmarrës do të jenë fëmijët e shkollave 9-vjeçare. Kjo garë do të zhvillohet në rrugët të cilat mbajnë emrat simbolike të kësaj dite, duke nisur nga rruga "Ismail Qemali", "Sheshi i Pavarësisë" dhe rruga "28 Nëntori", që përfundon pranë Bashkisë. Pas krosit do t'i lihet sipari aktivitetit për ngritjen e flamurit, që do të shoqërohet nga Ansambli Tirana dhe nga orkestra frymore e Bashkisë. Flamuri do t'i dorëzohet në Bashki, pasi kjo ditë nuk është vetëm dita e Pavarësisë së Tiranës, por është dhe dita e krijimit të Bashkisë së Tiranës, pasi po në këtë ditë, 96 vite më parë është larguar administrata turke dhe pushtetin lokal të asaj kohe e morën në duar patriotët e qytetit të Tiranës. Veç ceremonive, Tirana është dekoruar me flamuj që përfaqësojnë shtetin shqiptar dhe Bashkinë e Tiranës në ato segmente kryesore ku do të mbahen dhe ceremonitë e ditës së sotme.
(s.g/BalkanWeb)