E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i ligë godet sërish brigjet lindore të SHBA-së

Stuhia e dytë e madhe e borës brenda më pak se një jave ka goditur sot pjesët lindore të SHBA-së, duke e paralizuar kryeqytetin amerikan, duke e provokuar mbylljen e qeverisë federative dhe të shkollave, duke filluar nga Virginia, e deri në New York.

Shërbimi Kombëtar për Mot ka parashikuar se stuhia do të përcillet me 36 cm të reshura të reja të borës në rajonin e Atlantikut.

Zyrat e qeverisë federative në Washington qëndruan sot të mbyllura për të tretën ditë me radhë, ndërsa shkollat lokale me gjasë do të qëndrojnë të mbyllura deri javën tjetër.

Me urdhrin e prefektit të qytetit të New Yorkut, Michael Bloomberg, shkollat qëndruan të mbyllura edhe në këtë qytet.

Me mijëra shtëpi në rajonin Washington-Baltimore ende janë pa furnizim me energji, pas stuhisë së borës, e cila goditi rajonin të premten dhe të shtunën e kaluar.

Është parashikuar se edhe stuhia e dytë do të shoqërohet me erëra të fuqishme, të cilat mund të pengojnë sërish furnizimin e vendbanimeve me energji.

Pjesa më e madhe e 230 mijë të punësuarve në institucionet federative nuk dolën në punë në Washington. Megjithatë, disa zyra të qeverisë, përfshirë këtu Shtëpinë e Bardhë, pjesë të Kongresit dhe disa agjenci, mbetën operacionale.

Washingtoni, Virginia dhe Marylandi kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që këtyre shteteve ju mundëson që të mobilizojnë Gardën Kombëtare, me qëllim që ajo të ndihmojë në përballjen me motin e ligë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›