Sipas rezultateve preliminare, Janukovic president i ri i Ukrainës
Kandidati i opozitës, Viktor Janukovic, ka mposhtur me rezultat të ngushtë në zgjedhjet presidenciale rivalen e tij, Yulia Tymoshenko, kanë dëshmuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve, të cilat u publikuan sot.
Komisionit Qendror Zgjedhor ju deshën tri ditë për të numëruar votat e rrethit të dytë zgjedhor, i cili u zhvillua të dielën, për të kumtuar se Janukovici pro-rus ka fituar 48.95 për qind të votave, ndërsa Tymoshenko 45.47 për qind.
Katër për qind të votuesve kanë votuar kundër të dy kandidatëve, ndërsa 1.2 për qind të votave janë shpallur të pavlefshme. Edhe pjesëmarrja në zgjedhje ishte mjaft e lartë, rreth 69 për qind. Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve Komisioni do t’i kumtojë më 17 shkurt.
Ithtarët e Tymoshemkos theksuan se do të sfidojnë në mënyrë ligjore rezultatin. Për dallim nga zgjedhjet paraprake në Ukrainë, zgjedhjet e fundit janë cilësuar si korrekte dhe të lira nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Ambasada amerikane në Kiev i cilësoi zgjedhjet si një hap të ri drejtë konsolidimit të demokracisë në Ukrainë.
Tymoshenko nuk ka pasur paraqitje publike që nga dita e diel. Janukovic ka kërkuar nga ajo që ta pranojë humbjen.