E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot Kaka do të duhet të flasë si futbollisti i Realit të Madridit

Mbyllet Milani i Kakasë, fillon Milani i Ronaldinjos. Por do të duhet kohë që të verifikojmë idenë e Berluskonit: e çmendur apo gjeniale… Është vetëm për çështje orësh dhe Kaka zyrtarisht do të jetë goditja e parë e madhe e presidentit Florentino Perez. Sinjalet janë të shumta, më e veçanta është se të dielën në Recife, mesfushori brazilian u është nënshtruar vizitave mjekësore, nën kontrollin e shefit të stafit mjekësor të Realit të Madridit, Juan Karlo Hernandez. Vizitën mjekësore të Kakas e ka ndjekur edhe shefi i stafit mjekësor te Seleçaos, Hoze Luis Runko. Spanja jetoi dje orët e një dite shumë të rëndësishme në merkaton e verës 2009. E veçantë ka qenë kjo ditë dhe në Itali, por me një ndjenjë shpirtërore krejt të kundërt. Gjithçka është gati: sipas burimeve nga Spanjë, në mëngjesin e sotëm kanë firmosur mbi kontratë Kaka dhe babai-menaxheri i tij, Bosko Leite. Hipoteza e një përmbysjeje të këtij lajmi më shumë se befasues, mund të quhet fantashkencë. Hose Luis Runko ka dhënë verdiktin: "Jam bashkë me Kakanë dhe doktor Hernandezin. Por presim zyrtarizimin nga Real Madrid. Më shumë nuk mund të them. Shpresoj që gjithçka të përfundojë shumë shpejt". Berluskoni dje në mbrëmje deklaroi se pret të bisedojë me Kakanë në telefon. Por e përditshmja "AsS po në kohën e deklaratës së Berluskonit, bënte të ditur se, Kaka hidhte firmën në kontratë, që do ta lidhë atë për vite të tëra me Realin e Madridit. Pritet biseda telefonike Berluskoni-Kaka, por që tashmë është një rit, që nuk shërben për asgjë. Prezantimi zyrtar i Kakasë do të bëhet kur të përfundojë Kupa e Konfederatës në Afrikën e Jugut. Por e sigurt është se sot Kaka do të flasë në konferencën e shtypit në qendrën stërvitore të Seleçaos. Dhe natyrisht këtë do ta bëjë si futbollist i Realit të Madridit. Lajmërimi zyrtar u prit mbrëmjen e djeshme, edhe për shkak ndryshimit të orës mes Brazilit dhe Evropës. Por do të ketë një "Kaka day" evropian. "Marca" e bën të ditur datën 30 qershor. Kjo ndodh për faktin se federata braziliane nuk i ka dhënë leje Kakasë të lërë Kombëtaren dhe të shkojë në Madrid për të veshur bluzën e Realit e të dalë përpara gazetarëve e fotografëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›