E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot, Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku fillimisht bëri këtë deklaratë: "Shqipëria është një vend me kontratë historike me BE-në, vendi që ka firmosur Marrë

Sot, Kryeministri Berisha doli në një konferencë për shtyp, ku fillimisht bëri këtë deklaratë:

"Shqipëria është një vend me kontratë historike me BE-në, vendi që ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në dhe ka detyrim zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Po kështu, nga Samiti i Rigës, Shqipëria mori mesazhin e një kandidati të mundshëm për të marrë ftesën për anëtarësimin në NATO, në Samitin e të saj të ardhshëm. Dje, në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, Komisioneri për Zgjerimin të BE-së Olli Rehn u bëri thirrje Shqipërisë, vendit të asociuar në këtë bashkim, dhe forcave politike të heqin dorë nga bojkoti, të marrin pjesë në zgjedhjet e 20 janarit, të bashkëpunojnë për zhvillimin e këtyre zgjedhjeve brenda standarteve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Shfrytëzoj rastin për të siguruar shqiptarët se qeveria e koalicionit që unë drejtoj dhe Partia Demokratike janë të gatshme të garantojnë të gjitha burimet financiare dhe materiale për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, si dhe të bëjë çdo përpjekje të bashkëpunojë me Partinë Socialiste dhe të gjitha forcat politike të vendit për suksesin e plotë të zgjedhjeve të 20 janarit. Ndaj edhe nje hërë i bëj thirrje Zotit Rama të vërë interesat e qytetarëve shqiptarë, demokracisë shqiptare, integrimit të vendit, interesat e Shqipërisë mbi interesat personale dhe vetjake, të lërë mënjanë bojkotin e të angazhohet me të gjitha mundësitë e forcës së tij politike për zgjedhje të standarteve të lira dhe të ndeshme. Me këtë rast, dua të shtoj se standartet nuk arrihen kurrë duke bojkotuar dhe se në standarte nuk kontribuon duke bojkotuar zgjedhje, standartet nuk mund të arrihen duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e vendit, mbasi respektimi i këtyre të fundit qendron në themel dhe përbën dhe standartet më kryesore të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ftoj Partinë Socialiste, që duke punuar sëbashku për standartet, vlerësimin e tyre t'ia adresojë institucioneve të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Dje, Zoti Rama deklaroi publikisht se ai nuk ka kërkuar zgjatjen e mandatit të tij, pra nuk ka kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve siç kanë raportuar dhjetra e qindra herë dhe muaj me radhë media e vendit, por, sipas tij, kjo kërkesë është bërë nga faktorë ndërkombëtarë.

Dua të deklaroj këtu, para mediave dhe qytetarëve shqiptarë, me përgjegjësinë më të plotë se në dhjetra e dhjetra takime që kam patur gjatë të gjithë këtij viti që po mbaron me shtetarë të vendeve të ndryshme, kryeministra, ministra, udhëheqës të partive europiane përfshirë këtu udhëheqës kryesorë të Internacionales Socialiste, drejtues të Parlamentit Europian, të Këshillit të Europës, parlamenteve të vendeve mike, ambasadorë, diplomatë, të gjithë, pa përjashtim, jo vetëm nuk kanë kërkuar shtyrjen e afatit të zgjedhjeve dhe zgjatjen jo kushtetuese të mandateve, por përkundrazi janë shprehur haptazi dhe qartazi për respektimin e Kushtetutës në raport me afatet e mandateve dhe datën e zgjedhjeve, si dhe zhvillimin e këtyre të fundit në afatet kushtetuese ligjore.

Edhe një herë, dua të theksoj se Partia Demokratike hyn në këto zgjedhje me lista të përgatitura në 2/3 e vendit dhe në 90 përqind të kryeqytetit të tij nga qeveritarëve vendorë socialistë, me certifikata të firmosura në 90 përqind të qytetit të Tiranës dhe 2/3 e vendit në tërësi po nga zyrtarë të njësive vendore që drejtohen nga socialistë dhe në një datë që nuk e ka zgjedhur vetë, por që e ka dekretuar Presidenti i Republikës.

Partia Demokratike ripohon se është e gatshme të votojë në parlament me procedurë të shpejtuar të gjitha amendamentet e lidhura me të gjitha pikat e marrëveshjes së gushtit, si dhe të votojë që ato të hyjnë në fuqi menjehërë. Ajo angazhohet për një fushatë zgjedhore të lirë, të ndershme dhe konstruktive. Faleminderit."

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›