Sot në mbrëmje Kryeministri Berisha zhvilloi një takim pune me Kryetarin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të ODHIR-it, Ambasadorin Jorgen Grunnet me të cilin diskutoi gjerësisht mbi situatë
Sot në mbrëmje Kryeministri Berisha zhvilloi një takim pune me Kryetarin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të ODHIR-it, Ambasadorin Jorgen Grunnet me të cilin diskutoi gjerësisht mbi situatën dhe procesin zgjedhor në vend.
Kryeministri Berisha ritheksoi në takim se prioriteti absolut dhe më madhor i qeverisë për këto zgjedhje është të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm, ndaj për të përmbushur këtë objektiv ajo është e vendosur të ndërmarrë çdo përpjekje dhe të mos kursejë asnjë burim financiar apo material në mbështetje të infrastrukturës zgjedhore.
Kryeministri Berisha u shpreh se, fatkeqësisht, situata e krijuar si pasojë e qëndrimeve të opozitës është krejtësisht e paprecedent në gjithë historinë post-komuniste të vendit, ku pavarësisht nga problemet elektorale të deritanishme asnjëherë nuk ka patur ndonjë forcë politike që të ketë përqafuar qëndrimin ekstrem dhe të dëmshëm për vendin të bojkotit dhe rrënimit të procesit zgjedhor. Ai theksoi se kërkesa e opozitës për shtyrjen e afatit të zgjedhjeve është anti-kushtetuese dhe se data e zgjedhjeve është një çështje jashtë kompetencave të qeverisë apo të partive politike. Shtyrja e mandatit 3-vjecar të të zgjedhurve lokalë mund të realizohet vetëm nëpërmjet referendumit, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri e informoi Ambasadorin Grunnet se Qeveria dhe Partia Demokratike janë të gatshme për të ofruar të gjithë bashkëpunimin e mundshëm me forcat politike dhe pushtetin lokal për të kapërcyer situatën e krijuar. Në këtë kuadër, Kryeminsitri rishprehu gadishmërinë e shumicës parlamentare për të votuar në Kuvend me efekt të menjëhershëm të gjitha amendamentet që lidhen më marrëveshjen e muajit gusht midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
Kryeministri vlerësoi se njesitë e pushtetit lokal janë të detyruara të ndërmarrin të gjitha masat që ju kërkohen nga ligji për përgatitjen e zgjedhjeve, në mënyrë të veçantë në lidhje me listat e votuesve, lista të cilat nuk i përkasin partive politike apo institucioneve të tjera, por qytetarëve si sanksionim i të drejtës së tyre themelore për të votuar.
Kryeministri Berisha rishprehu në takim se standartet e këtyre zgjedhjeve duhet të vlerësohen dhe të gjykohen nga vëzhguesit ndërkombëtare, ndaj ai përshëndeti vendimin e ODHIR-it për të dërguar një numër të madh vëzhguesish për zgjedhjet vendore të 20 janarit.