Sot, Kryeministri Berisha priti Zj. Pauline Hayes, Shefe e Departamentit të Evropës dhe Azisë Qëndrore dhe Dr. Peter Rundell, Shef i Ekipit të Ballkanit Perendimor të Departamentit të Zhvillimi
Sot, Kryeministri Berisha priti Zj. Pauline Hayes, Shefe e Departamentit të Evropës dhe Azisë Qëndrore dhe Dr. Peter Rundell, Shef i Ekipit të Ballkanit Perendimor të Departamentit të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFID) të Britanisë.
Duke falënderuar zyrtarët e DFID, Kryeministri Berisha vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme financiare dhe teknike të DFID, ndihmë e cila ka patur një rëndësi të madhe për suksesin e reformave të ndërmarra nga qeveria.
Kryeministri Berisha i njohu zyrtarët e DFID me reformat që po ndërmerr Qeveria për të çrrënjosur korrupsionin në çdo nivel të administratës.Çrrënjosja e korrupsionit, theksoi zoti Berisha, do të bëhet kryesisht nëpërmjet përmirësimit të procedurave dhe futjes së e-government në çdo nivel, duke bërë në të njëjtën kohë rritjen e trasparencës së Qeverisë.
Në takim, Kryeministri ngriti një nga problemet e rëndësishme që po përballet qeveria: sistemin pothuajse të falimentuar të pensioneve. Zoti Berisha u shpreh se Qeveria, e mbështetur nga një projekt i BE-së, po punon për informatizimin e tij, por mbetet ende shume punë për të bërë në këtë drejtim, veçanërisht në zgjedhjen dhe ngritjen e një sistemi të përshtatshëm për pensionet. Në këtë drejtim ai kërkoi mbështetjen e DFID.
Gjithashtu, Kryeministri kërkoi mbështetjen e këtij institucioni në përpjekjet e qeverisë për zbutjen e varfërisë, si dhe mbështetjen për të punuar së bashku për përmirësimin e sektorëve socialë, si arsimi, shëndetësia, etj.
Kryeministri u ndal gjithashtu në axhendën e Qeverisë në procesin e integrimit europian, nënshkrimin e MSA-së, si dhe punën që Qeveria po bën në përmbushjen e të gjitha kërkesave për integrim. Po ashtu, zoti Berisha theksoi se Qeveria, në këtë kuadër, është totalisht e angazhuar në mbajtjen e zgjedhjeve lokale të lira e të ndershme dhe se do të pranojë zgjedhjen që do të bëjë Presidenti për datën e zgjedhjeve.
Zonja Hayes u shpreh shumë e kënaqur që shihte hapat e marra nga Qeveria në zbatimin e reformave në fushën e planifikimit dhe koordinimit strategjik të politikave qeveritare. Ajo përshëndeti reformat e ndërmarra nga Qeveria në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e klimës për biznesin.
Ajo premtoi mbështetjen e DFID në të ardhmen dhe angazhimin e ekspertizës së këtij institucioni për të ndihmuar reformat e qeverisë.