Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë Presidentin e Rajonit italian të Pulias, Zotin Niki Vendola. Kryeministri Berisha dhe Zoti Vendola vlerësuan miqësinë dhe lidhjet e
Sot, Kryeministri Berisha priti në një takim të veçantë Presidentin e Rajonit italian të Pulias, Zotin Niki Vendola.
Kryeministri Berisha dhe Zoti Vendola vlerësuan miqësinë dhe lidhjet e ngushta, të vendit tonë, me rajonin e Pulias dhe Italinë. Veçanërisht ata u shprehën të kënaqur për marrëdhëniet dhe komunikimin midis rajonit të Pulias dhe Shqipërisë vitin e fundit, si dhe për interesin gjithnjë në rritje të investitorëve të Pulias, në Shqipëri.
Kryeministri Berisha dhe Zoti Vendola diskutuan për fuqizimin e marrëdhënieve në të ardhmen në të gjitha fushat, duke u ndalur në disa inisiativa dhe projekte konkrete. Në këtë kuadër u vlerësua zgjerimi i këtij komunikimi nëpërmjet shtimit të lidhjeve ajrore dhe detare mes Pulias dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e integrimit të sistemit infrastrukturor të rajonit të Pulias me Shqipërinë, nëpërmjet fuqizimit të porteve, aeroporteve dhe komunikimit ndërmjet tyre.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti Vendola diskutuan gjithashtu për rëndësinë e realizimit të projektit për Korridorin e 8-të dhe hapat e nevojshëm politikë që do të ndërrmerren për sigurimin e zhvillimit konkret të tij.
Kryeministri dhe Zoti Vendola u ndalën në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e energjitikës, ku një vend të posaçëm do të zenë investimet potenciale pulieze në Shqipëri për prodhimin e energjisë alternative nëpërmjet burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe investimet për sigurimin e lidhjeve kabllore për shkëmbimin e energjisë midis rajonit të Pulias dhe Shqipërisë. Gjithashtu këto investime do të shtrihen edhe në zhvillimin e parqeve industriale në energji, turizëm, etj..
Kryeministri Berisha dhe Zoti Vendola biseduan për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në fushën e turizmit dhe kulturës nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave mes qendrave kërkimore, shkencore të Pulias dhe Shqipërisë si dhe shkollimin e studentëve shqiptarë në universitetet e Pulias.